Rreth 3000 viktima dhe 6 mijë të tjerë të plagosur nuk është bilanci përfundimtar i sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA. Të paktën 10 mijë njerëz të tjerë janë diagnostikuar me kancer, që mendohet se në njëfarë mënyrë lidhet me thithjen e grimcave të rrezikshme gjatë dhe pas sulmit mbi Kullat Binjake në Nju Jork.
Hyrja në organizëm e grimcave të karburantit të avionëve që u përplasën mbi kulla, asbestit, pluhurit të betonit dhe copëzave të qelqit që u shpërndanë në ajër pas shembjes së Qendrës Tregtare Botërore kanë çuar në shfaqjen e kancerit te të paktën 9 795 persona, që ishin ndër të parët që u angazhuan në operacionet e shpëtimit dhe dhënien e ndihmës së parë. Detajet janë botuar nga “New York Post”, duke iu referuar Programit Federal të Shëndetit “Qendra Botërore Tregtare” shkruan TemaTV.
Numri vijon të rritet në mënyrë eksponenciale që prej vitit 2013, kur ky program nisi të mbledhë të dhëna. Në vitin 2015, numri i të prekurve nga kanceri, që lidhej me sulmin e 11 shtatorit, arriti në 3 204, ndërsa një vit më pas në 8 188.
“Ne marrim referime të tilla 15-20 herë në javë”, thotë dr. Michael Crane, drejtor i këtij programi. Ai thotë se 17 vjet pas tragjedisë, ata që kthehen më shpesh për të kërkuar ndihmë mjekësore janë më të moshuarit.
Që nga 11 shtatori i vitit 2001, më shumë se 1700 të përfshirë në këtë ngjarje kanë vdekur, duke përfshirë mes tyre 420 të vdekur nga kanceri. Ata që u gjetën në vendin e ngjarjes dhe u angazhuan në të në një formë ose në një tjetër kanë tendencën të shfaqin kancer të tiroides dhe melanomë, si dhe janë më të predispozuar për tumor të fshikëzës.
Pjesa tjetër e njujorkezëve që u ekspozuan ndaj pluhurit toksik shfaqin norma më të larta se ato normalet të kancerit të gjirit dhe limfomës non-Hodgkin. Po ashtu, leucemia dhe çrregullime të tjera të gjakut kanë vlera më të larta se mesatarja.