Obeziteti dhe diabeti duket se janë një kombinim i rrezikshëm për nënat në pritje të një fëmije. Një studim i kryer së fundmi ka zbuluar se gratë shtatzëna që vuajnë nga obeziteti dhe diabeti kanë më shumë shanse të lindin fëmijë me çrregullime të spektrit autik dhe çrregullime të tjera psikiatrike.
Këto të fundit, edhe pse nuk është provuar ende shkencërisht, ka gjasa të shkaktohen nga kombinimi i predispozitës gjenetike me faktorët ambientalë, përfshirë këtu edhe shëndetin e nënës dhe dietën ushqimore gjatë muajve të shtatzënisë.
P.sh. në SHBA, më shumë se gjysma e grave shtatzëna janë mbipeshë ose obeze, çka i bën ato të rrezikuara ndaj diabetit të shtatzënisë. Sipas një studimi të kryer në Suedi, edhe pa praninë e diabetit, nënat obeze janë 67% më të predispozuara për të pasur fëmijë me çrregullime të stresit dhe humorit.
Nëse diabeti ka qenë i pranishëm që përpara shtatzënisë, nënat obeze janë 6 fish më të rrezikuara për të pasur një fëmijë me autizëm ose çrregullime të tipit ADHD.
Në funksion të studimit janë mbledhur të dhëna mbi 650 mijë lindje në Finlandë në periudhën 2004-2014. Fëmijët u ndoqën nga studiuesit për një periudhë 10-vjeçare.
“Rreziku më i madh është te gratë me obezitet të theksuar dhe diabet që trajtohet me insulinë”, thotë autorja e studimit, Dr Catharina Lavebratt, nga Karolinska University Hospital në Suedi.(TemA TV)