Nga Alfred Peza
Masakra e ndodhur në një fshat të Selenicës, ku nga një dorë mbetën të vrarë 8 persona nga i njëjti fis, ka provokuar një cunam të vërtetë reagimesh publike në rrjetet sociale. E përbashkëta e gjithë kësaj “histerie” kolektive është se, si “ilaç” shpëtimi nga një akt ekstrem dhune, jepet pothuajse në të gjitha rastet një akt tjetër edhe më i dhunshëm, kundër autorit. Me pak fjalë, të gjithë duket sikur i falemi asaj që ndryshe quhet, kultura e dhunës që pjell dhunë. E cila në fund të fundit, në shoqëritë demokratike dhe në këtë epokë, nuk të çon askund. Përkundrazi!
Ka shumë diskutime në lidhje me atë, se cila mund të jetë rruga më e mirë për të dalë nga ky qerthull, e për ta çliruar shoqërinë njëherë e përgjithmonë, nga një spirale ciklike që duket sikur hyjmë herë pas here. Nisur kjo, edhe nga shembujt e dhunës kolektive që na kanë shoqëruar në këto 28 vjet të post komunizmit, sidomos në vitet ’91-’92 dhe ’97-’98. Por mbi të gjitha, nisur nga shembujt e dhunës individuale që rikthehen tinëzisht kohë pas kohe, pa qenë asnjëherë në gjendje për tu parashikuar e për ti parandaluar.
Së pari, gjykoj se për këtë është fajtor sistemi i kulturës sonë kolektive të adhurimit të forcës mbi arësyen, të “të fortit” mbi “të urtin”. Gjë që ka çuar në triumfin e moralit të forcës, mbi forcën e moralit. Eshtë kjo arësyeja, se përse modelet tona të suksesit si shoqëri, i shohim më së shumti tek ata që triumfojnë dhe ia dalin me dhunë dhe jo tek ata që kërkojnë të imponohen me arësye dhe me intelekt.
Së dyti, nëna e të gjitha llojeve të tjera të dhunës, fatkeqësisht tek ne është bërë dhuna verbale e politikës, e cila nuk bazohet tek dialogu, debati konstruktiv, alternativa, arsyeja dhe argumenti. Por, tek gjuha e vetëtimave, bubullimave, flakëve dhe e zjarrit të ferrit me të cilat përbetohen se do i djegin armiqtë e tyre, liderët dhe aktorët tanë kryesorë politikë. Kjo kulturë që na bombardon çdo natë nga ekranet televizive të debatit politik dhe çdo të enjte nga salla e Parlamentit, i është imponuar shoqërisë, si një model për zgjidhjen e problemeve të gjithkujt në përditshmëri. Duke u bërë në këtë mënyrë, një normë dhe një mënyrë komunikimi e jetese, për të gjitha segmentet e tjera të shoqërisë.
Së treti, drejtësia e kalbur e këtij vendi, jo më kot u katandis në pushtetin që instaloi si askund tjetër në demokracitë e reja europiane, kulturën e pandëshkueshmërisë. Duke e bërë thënien e Biblës “ti gjykatës do të jesh i drejtë, kur ti fusësh frikën fajtorit” që në Shqipëri të zbatohet në versionin: Ti gjykatës ia ke futur frikën kujtdo, përveçse fajtorit!
Së katërti, media pa dashjen e saj, për shkak të garës në rrugën më të thjeshtë për të mbijetuar, në jo pak raste, është shndërruar në një pasqyrë të lajmeve të dukshme të kronikës së zezë. Duke krijuar idenë sikur në këtë vend nuk ndodh asgjë tjetër, veçse aksidente, vrasje, plagosje, dhunë dhe gjithçka tjetër e kësaj natyre. Duke e reduktuar informimin, vetëm tek komunikatat e policisë dhe jo tek të gjitha aspektet e tjera e të pafund, të jetës së një shoqërie.
Këto dhe shumë arësye të tjera, bëjnë që qytetarët e zakonshëm të bombardohen nga të gjitha anët nga kultura e dhunës, duke mos menduar dy herë në rrethana specifike për të gjetur rrugëdalje tjetër, përveçse nëpërmjet forcës verbale, fizike dhe gjuhës së armëve. Ndaj, nuk është çudi që pas masakrës së Ritvan Zykës, njerëzit të ofrojnë si alternativë shpëtimi, rrugë të tilla si rikthimi i dënimit me vdekje, apo mënyra të tjera që nuk janë shumë larg të parës.
Kombet e qytetëruara që ia kanë dalë që ti shpëtojnë spirales së kulturës së dhunës, e kanë bërë këtë me mjete të tjera. Kryesisht nëpërmjet forcimit të shtetit të së drejtës, çmontimit të kulturës së mosndëshkueshmërisë, krijimit të sistemeve të meritokracisë kundër atyre të imponimit të individit me forcë. Ia kanë dalë mbi të gjitha nëpërmjet arsimit, kulturës, rrijtes së standardeve social-ekonomike, politikave kundër varfërisë, por edhe me anë të investimeve në infrastrukturë dhe shërbimeve efikase, në funksion të modernizimit të kulturës së jetesës së individëve dhe komuniteteve.
Edhe Shqipëria nuk ka rrugë tjetër për tu çliruar njëherë e përgjithmonë nga kultura e dhunës që pjell veç dhunë. Duke u bërë sa më shpejt, jo vetëm një shtet i hapur siç është, por edhe një shoqëri e hapur. Sepse ende mbetemi një shoqëri që qëndron e izoluar nga prapambetja infrastrukturore, nga lufta e kulturave dhe e civilizimeve brenda pjesëzave dhe celulave të saj bazë, nga praktika e promovimit të modeleve të gabuara për modele suksesi në shoqëri, etj.
Ajo që duhet kuptuar e pranuar sa më parë, është e vërteta e thjeshtë se Shqipëria do të integrohet në BE, vetëm pasi të gjithë shqiptarët që banojnë në territorin e saj, do të integrohen më parë në Shqipëri. Duke u bërë pjesë natyrale e një vendi dhe e një jete për të cilën, ia vlen të sakrifikosh, sepse një ditë, herët ose vonë më i zoti dhe ata që do paguajnë çmimin e duhur të suksesit, do ia dalin. Ndryshe, është vërtetë tejet e trishtë por nuk kemi pse të shokohemi kur një i ri, në kulmin e moshës dhe energjive të veta, mund të vrasë aq njerëz të afërm të tij, për sa kokë pula akuzohet se ka vjedhur në kotecët e fshatit.
a.ç