Familjarët e dy personave që humbën jetën në zjarret që ranë në lindje të Athinës, kanë paditur institucionet shtetërore greke. Këto të fundit, konkretisht reparti i zjarrfikësve dhe policia, mund të akuzohen për një sërë veprash penale si “vrasje pa paramendim”, “lëndime trupore” dhe “ekspozim të qytetarëve ndaj rrethanave vdekjeprurëse”.
“Mendoj se ata që janë përgjegjës për mbrojtjen e qytetarëve, për të shuar zjarret dhe për të marrë masa për t’i parandaluar ato, duhet të dënohen”, ka deklaruar Antonis Fusas, avokat i familjarëve të viktimave. Ndërkohë, prokurorët vazhdojnë hetimet mbi shkaqet e rënies së zjarrit dhe reagimin e autoriteteve ndaj tragjedisë që mori mbi 90 jetë njerëzish në qytetin bregdetar të Matit dhe zonave përreth. Dy viktimat humbën jetën teksa përpiqeshin t’u shpëtonin flakëve dhe trupat e tyre u gjetën rreth 400 metra nga shtëpitë e tyre.
“Ndodhemi në një situatë të dëshpëruar dhe tragjike, pasi duhet të mbajmë zi për humbjen e pamerituar të të dashurve tanë”, thuhet në padinë e familjarëve. Mësuesi Vasilis Katsagiris, 70 vjeç, mbeti i bllokuar në një garazh, ndërsa bashkëshortja dhe miqtë e tij të ardhur nga Amerika përpiqeshin të arrinin plazhin më të afërt.
E shoqja u kthye për të shpëtuar atë dhe një fqinjën e tyre Maria Pagomenou, por nuk ia arriti. Dy ditë përpara tragjedisë, ata kishin festuar martesën e vajzës së tyre. Në padi nënvizohet se, as përpara rënies dhe as gjatë përhapjes së zjarreve autoritetet nuk dhanë udhëzime se si të vepronin, apo se si të strehoheshin në një vend të sigurtë.