Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur ditën e martë zyrtarisht garën për koncesionin në formën e Partneritetit Publik-Privat, pjesë e projektit “1 Miliard”, për segmentin rrugor Porti i Jahteve-Orikum-Llogara. Rreth 50.5 milionë euro është fondi i vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare për realizimin e këtij projekti.
Ashtu si për rrugët e tjera që do të jepen me këtë formë koncesioni, kontrata e parashikuar ka një afat 13-vjeçar, 3 vjet për ndërtimin, ndërsa 10 vjet për mirëmbajtjen e rrugës. Teksa rruga do të financohet nga fituesi i garës, pagesa e qeverisë do të bëhet me këste deri në përfundim të kontratës.
Më 20 Qershor, qeveria kishte miratuar edhe një bonus prej 6% të pikëve për shoqërinë “Gjikuria”, e cila kishte bërë propozimin e pakërkuar dhe kishte paraqitur rezultatin teknik dhe financiar. Tashmë kjo kompani do të jetë e avantazhuar në garën për marrjen e koncesionit.
Rruga konsiderohet një projekt strategjik për zhvillimin e zonës së bregdetit në 50 vitet e ardhshme. Ajo ka një gjatësi prej 14.7 kilometra dhe nis në rrugën e Portit të Jahteve, për të kaluar më pas në Bypass-in e Orikumit dhe duke përfunduar në Dukat në Urën e Shën Elizës. Shpejtësia e rrugës me dy korsi, do të rritet nga 40 km/h aktualisht, në 60-100 km/h. Projekti parashikon ndërtimin e disa veprave të artit, tre ura të mëdha dhe dy mbikalime.
Ajo pritet të lehtësojë trafikun në zonën bregdetare jugore, i cili është problematik gjatë sezonit turistik, por edhe do të bëjë ndërlidhjen e pikave të reja strategjike, do të zhvillojë më tej turizmin dhe do të rrisë shkëmbimet ekonomike dhe kulturore, duke ulur kostot e transportit dhe duke mundësuar çmime më të ulëta për produktet për komunitetin që jeton në këto zona.
Në të ardhmen, rruga do të bëjë edhe lidhjen me Himarën përmes një tuneli që propozohet për t’u ndërtuar. /ma.me