Prokuroria ka mbyllur dhe afatin e dytë për hetimet mbi skandalin e CEZ. Gjykata e Tiranës zgjati dy herë me nga 3 muaj aftin e hetimeve dhe 17 korriku ishte i fundit. Deri më tani nuk ka asnjë sinjal nga organi i akuzës nëse dosja është mbyllur, do dërgohet në gjykatë, do pushohet apo do kërkohet zgjatje afatesh. Megjithatë dje ka folur për gazetën juristi Romeo Kara, një nga paditësit. Ai tregon për gazetën “SOT” se provat që ka dorëzuar në prokurori janë të mjaftueshme që dosja të dërgohet në gjykatë.
Po ashtu ka thënë se frika më e madhe e abuzuesve është dëshmia e Nuel Kalajt. Sipas tij, ai nuk është thirrur qëllimisht nga prokuroria, kur jo e fundit drejtohej nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Kara ka thënë për gazetën se pavarësisht lëvizjeve të drejtësisë, pret që abuzuesit të përballen me ndëshkimin.
Kara u shpreh se atyre u duhet t’u sekuestrohet pasuria dhe të dënohen. Kara ka dhënë detaje dhe për Nuel Kalajn. Bëhet fjalë për sekserin i cili është kyç në zbardhjen e skandalit. Sipas tij, dëshmia e Kalajt ka filluar të trembë të gjithë të përfshirët në skandal.
-Zoti Kara, ju rreth 1 vit më parë ngritët një padi penale ndaj një sërë zyrtarëve të lartë, mbi marrëveshjen e shtetit shqiptar dhe CEZ. Gjykata e Tiranës vendosi rihapjen e dosjes dhe më 17 prill u shtynë me 3 muaj afatet. Të martën skadoi ky afat. Si i shihni hetimet e prokurorisë dhe a do zbardhet kjo çështje?
Nuk kam asnjë kontakt me prokurorinë, edhe pse kemi një prokurore të përgjithshme të përkohshme, e cila ka marrë zotime të rëndësishme në publik, lidhur me misionin e saj.
Çështja është shumë e rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse, kështu që ka vend edhe për investigime të gjata kohore. Nuk jam në dijeni se sa dhe si është investiguar deri më tani çështja për të përcaktuar qartë, rolin e prokurorisë. Lidhur me atë se a do te zbardhet çështja, unë ju siguroj se investigimi im, e ka arritur këtë qëllim dhe çështja mund të çohet edhe tani në gjykatë. Koha, toleranca apo favorizimi që iu bë autorëve të korruptuar të këtij privatizimi, duke mos i arrestuar ata dhe duke mos ju sekuestruar pasurinë, e ka dëmtuar integritetin e procesit, provat e shumë gjëra të tjera, por ato kurrë nuk mund të hedhin poshtë konstatimet e mija. Kjo është edhe arsyeja që kjo patate e nxehtë ka ngelur deri diku si jetim deri më tani. Çështja është plotësisht e zbardhur, janë shkelur me shumicë të pabesueshme ligjet, aktet normative të qeverise, interesat e vendit, duke injoruar mundësinë se kjo çështje do të investigohej ndonjë ditë.
-Problemi sipas prokurorisë është se nuk gjendet Nuel Kalaj. Kaq i rëndësishëm është roli i tij dhe pse nuk po arrihet të kontaktohet?
Roli i Nuelit realisht është i rëndësishëm, pasi ishte ai që kompromentoi totalisht procedurën e prokurimit të privatizimit të OSSH prej qeverisë “Berisha” dhe CEZ-it. Nuel Kalaj, ka dhënë mjaftueshëm prononcime në disa media në fillim të 2017, të cilat mesa duket ishin porositur për ta ndihmuar, por që më tepër e implikuan atë. Fillimisht, ai trimërisht shpalli se do të vinte të dëshmonte përpara komisionit hetimor parlamentar, por me vonë u tret si kripa në ujë. Megjithatë mesa unë di, asnjëherë prokuroria “Llalla”, nuk e kërkoi atë, edhe pse ai merrte pjesë hapur në aktivitete të ndryshme elektorale në Kosove. Për padronet e Nuelit, është më mirë që ai të mos flasë, por e-mailet aty janë, transaksionet bankare po ashtu, si dhe çdo fakt tjetër që duhet për ta çuar çështjen në gjykatë. Në çdo rast tjetër Nueli do të ishte arrestuar, kudo që të ishte, por në këtë rast ai po lihet qëllimisht i paarrestuar. Nueli patjetër që ka vazhduar jetën e tij, me apo pa emrin e tij, këtu apo në Kosove, Çeki a Sllovaki, duke i pasur të gjithë lehtësirat për t’u kujdesur edhe për familjen e tij.
-A ka prova të mjaftueshme të dorëzuara nga ju për të fajësuar të paditurit, siç janë Berisha, djali apo dhe ish-ministra të tij?
Janë absolutisht të gjitha provat për ta akuzuar, fajësuar, arrestuar dhe dënuar Berishën si dhe të gjithë stafin e tij të përfshirë në aferën korruptive të privatizimit të OSSH-së.
Ato prova janë të lidhura perfekt në mënyrë logjike, duke argumentuar më së miri se çfarë ka ndodhur dhe çfarë duhet të ndodhte në të vërtetë. Janë këto prova kokëforta që kanë bërë që Berisha të mos e hapë kurrë atë gojën që nuk i mbyllet, në lidhje me këtë çështje.
Janë këto prova, të cilat unë ia kam dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme. Ato që realisht mungojnë, janë antiprovat e Saliut për të dalë nga ky hall që e ka zënë.
-Ju jeni thirrur ndonjëherë tani në organin e akuzës, si pjese paditësve, pasi ka dhe një kallëzim nga komisioni hetimor parlamentar?
Pasi kam dorëzuar kallëzimin tim në 31 mars 2017, unë jam paraqitur mbi dhjetë herë pranë Prokurorisë së Përgjithshme për të dhënë deklarime në mbështetje të kallëzimit. Prej mesit të korrikut 2017, d.m.th prej një viti, unë nuk jam thirrur më nga prokuroria.
ma.me