Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në udhëtimin e tij në Bruksel, për raundin e dytë të takimit të fazës finale të dialogut, do të shoqërohet nga një delegacion me nivelin më të lartë shtetëror.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në takimin e Thaçit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, të mërkurën më 18 korrik, do të jenë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe tre nga zëvendëskryeministrat e tij – Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi, shkruan Koha Ditore.
Kjo është bërë e ditur nga një komunikatë e lëshuar nga Zyra për media e kryeministrit të Kosovës, ku njoftohet se ditën e premte janë mbledhur krerët e shtetit për t’u marrë vesh që bashkë të shkojnë në Bruksel te Mogherini.
“Udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës: presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, sot në një takim të përbashkët, vendosën që të mërkurën, më 18 korrik, të takojnë përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, znj. Frederica Mogherini, në Bruksel”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së kryeministrit.
Sipas njoftimit, “udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës do t’i konfirmojnë Federica Mogherinit përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për dialog me Serbinë dhe po ashtu përkushtimin dhe angazhimin tyre për përfshirjen e opozitës në dialog, respektivisht krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës”.
Delegacioni i Kosovës, megjithatë, nuk do të shoqërojë Thaçin në takimin e paralajmëruar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, por vetëm me zyrtaren e BE-së që ndërmjetëson në dialog.
Vendimi për shkuarjen e delegacionit qeveritar bashkë me presidentin është marrë në takimin e dytë të mbajtur gjatë ditës së premte.
Në takimin e parë, që u mbajt dje presidenti dhe përfaqësuesit e partive politike që janë pjesë e koalicionit qeverisë patën në diskutim një platformë të re, të propozuar nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, përgatiti Koha. (b.an)