Llogaritë bankare të personave nën hetim për 613 kg kokainë të kapur në Durrës janë sekuestruar nga Task Forca Speciale.
Sipas burimeve zyrtare, në kuadër të aksioni “Forca e Ligjit” dhe në vijim të hetimeve për asetet me burim kriminal, pas operacionit “Last Snow” ku u sekuestruan 613 kg kokainë në Portin e Durrësit disa muaj më parë, Task Forca Speciale bëri sekuestrimin e llogarive bankare në emër dhe për llogari të subjekteve “Arbri Garden” shpk dhe “Ecoalmax” shpk.
Vlera totale e sekuestruar është rreth 38 mijë dollarë dhe mbi 10 milion lekë (të reja), që dyshohen si të përfituara nga aktiviteti kriminal i shtetasve të ndaluar nga Policia.
Departamenti i Policisë Kriminale njofton se në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, po vijon hetimet intensive për këtë grup të dyshuar që operonte në fushën e trafikimit të drogave të forta. /b.d