Nga Sokol Balla*
Edi Rama kurrë nuk ka patur një ditëlindje të qetë sa kohë ka në politikë aktive. Mbaj mend verën e vitit 1998, kur sapo u be ministër, 4 korrikun e vitit 2009, kur Ilir Meta i bëri “dhuratë” koalicionin me Berishën, apo 4 korrikun e vitit 2011, kur KQZ i bëri dhuratë humbjen “teknike” të mandatit të katërt si kryetar bashkie.
Edhe katër korriku i këtij viti erdhi frikshëm për Ramën tashmë kryeministër. Me një datë të diskutueshme për hapjen e negociatave vitin tjetër, me një situatë të çuditshme rreth ministrit të Brendshëm, që duhet thënë se është së paku shumë i pafat – si pasues i një ish ministri nën hetim, si vëllai i një ish trafikanti dhe si punëdhënësi i një shoferi të sapo vetëvrarë – me një mal kritikash për disa nga ministrat e tij, me një debat që thuajse e vendosi përballë një beteje vdekjeprurëse me aktorët e artistët, Kryeministrin e priste një ditëlindje e vështirë të mërkurën në Tiranë.
I vetmi faktor plus: Kampionati Botëror dhe fakti që njerëzit më shumë u hutuan nga eleminimi i Spanjës e Gjermanisë sesa nga autogolat e qeverisë. Por nëse qeveria është e justifikuar per t’i bërë gola vetes pas pesë vjetëve në pushtet, ndërsa pritej sulmi i fortë në portën e saj, befas si gjithmonë këto vite, ndodh e kundërta.
Si në një skenar që tmerron gjumin e çdo traineri, opozita kthen topin dhe përmes kapitenit të saj, kthehet dhe bën gol në portën e vet. Këtu nuk po i referohem aksioneve të fundit të saj. As qëndrimit që mbajti gjatë procesit të shqyrtimit të hapjes apo jo të negociatave. As Babales dhe mënyrës sesi çdo denoncim publik kundër qeverisë ia arrin me sukses ta zhvlerësojë.
I referohem një cicërime të Lul Bashës, i cili duke nxjerrë bile jashtë konteksti një cicërimë në Tuiter të Mateo Salvinit, ishte bërë më katolik se Papa, më populist se Trump, më europian se Viktor Orban. Jashtë çdo parashikimi, si një gol i Japonisë ndaj Belgjikës, Lul Basha doli të martën dhe i kërkoi liderit të Lega Nord, ministrit italian të Brendshëm që “erën e ndryshimit” që po sjell në Itali, të përcjellë edhe në Shqipëri, ku narkoshteti dhe mafia janë bërë një”.
I referohej aksionit të policisë italiane kundër organizatave kriminale që favorizojnë trafikun e drogës dhe qenieve njerëzore dhe kryesisht emigrantëve, në kuadër të qëndrimit të ri, aspak dinjitoz dhe human të Italisë katolike, që tashmë u ka mbyllur detin anijeve me refugjatë të dëshpëruar, duke i lënë ose të mbyten në det, ose në mëshirë të Spanjës.
Salvini tani me dorë të hekurt, po mundohet të mbylle territorin italian ndaj këtyre aktiviteteve, ndoshta si një reagim edhe ndaj votës në rritje populiste të italianëve. Dhe megjithëse nuk është kjo Italia që ne njohim, në fund të fundit kush jemi ne që ta gjykojmë Salvinin, i cili punon për interesat e vendit të tij. Edhe me mënyra që ne nuk jemi dakord.
Unë dikur e kam takuar Salvinin në shkallët e San Siros dhe nuk u dukte çun i keq. Shante shumë Interin me fjalor jo shumë dinjitoz, por dukej djalë i sinqertë në tifozllëkun e tij. Dhe ambicioz deri në pikën që për të arritur në pushtet, mund të shkelte mbi gjithçka, edhe mbi dinjitetin e humanizmit shekullor italian. Por deri këtu nuk ka asgjë që nuk kuptohet.
Ajo që nuk kuptohet është përse Lul Basha doli pro tij të martën? Do kishte kuptim nëse çështjet e drogës, hetimet në dy brigjet, do ishin pjesë sot, ose dje, i fjalorit politik të liderit të Lega Nord (i vetmi formacion politik italian që i ka klasifikuar shqiptarët në të njëjtin lloj me peshkaqenët dhe krokodilët, këtu e 20 vjet më parë).
Por i vetmi reagim – i vjetër i Salvinit – për Shqipërinë, në fakt nuk është kundër Qeverisë Rama, por kundër Shqipërisë. Dikur Salvini thoshte se nëse duan t’i hapin negociatat Shqipërisë “atëherë më mirë të hyjnë ata dhe të dalim ne”. Reagimi në Tuiter i Bashës ishte në rastin më të mirë i habitshëm. Ministri i Jashtëm Bushati tentoi me ironi ta “mbronte”, duke aluduar se llogaria mund t’i jetë hakeruar, në fakt i vetmi shpjegim i logjikshëm ndaj cicërimës së Bashës.
Cila nxehtësi duhet të vijë në Shqipëri? Që motovedetat italiane të bllokojnë brigjet shqiptare? Që Salvini të na rikthejë vizat? Që të arrestojë Tahirin? Që të bllokojë negociatat?
200 gërma nuk janë mjaft që në Tuiter të japësh një qëndrim politik, por nuk besoj se është ky, problemi i Bashës. Kreu i opozitës ka artikulimin e duhur, por mesa duket jo orentimin të tillë. Zoti Basha nëse do që të vijë në pushtet, duhet të tregojë se do më shumë Shqipërinë sesa pushtetin, ashtu si ca lojtarë emigrantë shqiptarë treguan – jo pa kosto – se duan shqiponjën më shumë se Zvicrën. Nuk vihet në pushtet si populist europian, në një vend që kërkon kundër kësaj rryme populiste, të bëhet vend anëtar i BE.
Të gjithë ne kemi preferencat tona, pozitive dhe negative. Edhe ne e dimë se cfarë do apo nuk do Salvini, Macron apo holandezët fluturues. Por në Shqipëri votohesh si shqiptar dhe jo si holandez. Po c’të them?! Ky Ed Rama është me fat. Ashtu si Holanda e Bashës, edhe Italia e tij, s’ishte në botëror. Shqipëria e tij dhe e Bashës nuk e mori as këtë vit hapjen e negociatave.
Po prapë kryeministri e kapi dhuratë, një Lul për ditëlindje!
*Posaçërisht për JavaNews dhe TemA