Austria pozicionohet kundër marrëveshjes së arritur natën e të hënës për çështjen e emigrantëve, mes partnerëve të koalicionit qeverisës në Gjermani.
Mediat austriake citojnë një deklaratë për shtyp të qeverisë së Vjenës, ku plani për ngritjen e kampeve të përzgjedhjes së refugjatëve në kufirin mes gjerman me Austrinë, shihet si një zgjidhje jo-europiane. Për palën austriake, krijimi i zonave të tranzitit në kufirin gjerman do të thotë mbyllje e kufirit për emigrantët, ç’ka detyron qeverinë austriake të bllokojë kufijtë e saj jugorë, të shndërruara vitet e fundit në zona tranziti për emigrantët që kalojnë përmes rrugës ballkanike drejt vendeve të Europës Veriore.
Por kryediplomatja austriake Karin Kneissl shpreh edhe një shqetësim tjetër, atë për dëbimin nga Gjermania të azilkërkuesve të regjistruar në vende të tjera të unionit. Ajo paralajmëron krizë brenda Bashkimit Europian, pasi Austria nuk do të pranojë emigrantët që dëbohen nga territori gjerman.
Plani shihet me mëdyshje edhe nga socialdemokratët gjermanë, që janë pjesë e koalicionit qeveritar. Mediat gjermane kujtojnë se projekti i kampeve në kufijtë e Gjermanisë është diskutuar që në 2015-ën. Në atë kohë, kryediplomati i sotëm gjerman Hajko Mas që drejtonte ministrinë e drejtësisë e krahasoi projektin kampet naziste të përqendrimit për hebrenjtë.
a.ç