Nga Agron Gjekmarkaj
Diku në sfond dëgjohet kënga e Jovanotti-t “Baciami ankora -Më puth përsëri”! Vargu “un bellissimo spreco di tempo, una impresa impossibile –një harxhim kohe shumë i bukur, një sipërmarrje e pamundur” më nxit t’i kthehem kronikës së përvitshme verore.
Qershori po i ha ditët e veta një e nga një. Sa i freskët aq i çuditshëm po ngryset ai! Shi çdo pasdite si në Londër, pothuaj në të njëjtën orë! Bubullimat e vetëtimat të ngrenë qimet e kokës përpjetë. Ato të bëjnë me mendue gabimisht se Perëndia është ku e ku më e paparashikueshme dhe e frikshme se Edi Rama!
Njerëzia struket brenda dhe çdo gjë i duket e pranueshme, kur sheh si çahet qielli duke lëshuar rrufe ndëshkuese. Lutja është vetëm një! O Zot, më ruaj prapanicën!
Miku im hebre bleu një palë të mbathura druri dhe u zhyt thellë e më thellë në bodrumin e vilës së tij në Petrelë i strukur mes koshash e shajakesh të blerë në Kosovë Dritaret i zuri me thasë mielli dhe ndenji në pritje derisa natyra bëri paqe.
Kur duhia e motit ndalet, gëzimi që sjell ERTV në çdo shtëpi fillon e bën të vetën. Kryeministri shfaqet dhe jeta vazhdon e mbrothet me ritmin e saj bukolik si cicërimë! Artistët zënë e mblidhen darkave se dikush i ka gënjyer, duke u thënë se qeveria do t’ju shembë Teatrin. E kanë besuar të ngratët të pabesueshmen.
Kryeministri artist do bëka një lagje me kulla në zemër të kryeqytetit dhe në qoshe të saj do sajojë një biçim ndërtese për ta, se qindra milionë euro janë në tavë –po kush e ha këtë? Askush! Të yshtur si nga djalli, e kanë besuar dhe rrinë natë e ditë duke bërë roje si lugetër. Nuk u bymehet arsyeja me argumente edhe pse Mirela Kumbaro me Lal Erin plasën t’ua mbushin mendjen që kjo s’do ndodhë kurrë, por ata dreqër nuk i besokan më as lëkurës së vet. Keq puna!
Ministrushja e Kulturës, qerratesha, e cila e ka pranuar këtë punë si sakrificë e thirrur nga Edi Rama për të ndezur një qiri në mes të errësirës që mbretëronte në vitin 2013, kurrsesi nuk do të ndizte qirinj mbi arkivolin e Teatrit dhe institucioneve të tjera që po i mban gjallë me frymëmarrje artificiale. Batakçeshë e madhe kjo bota jonë.
Gëlojnë cinikët, nursëzët, shpotitësit, dyshuesit, të cilët nuk gëzohen për çmimin që Avrupi i dha Tiranës për sheshin “Skënderbej”. Juria në Barcelonë i tha “besame muço” Lalit e “sikter” gjithkujt tjetër. Ajo na zgjodhi ne. Mbase të konkurronte edhe qendra e Belshit do të kishim dy trofe! Dëgjova një bjerrakohës ta krahasonte me çmimin e ushqimit që morëm në Meksikë në vitin 1988. Meqenëse me mungoi trimëria për t’ia ngjeshur me shpullë, ia hoqa një dackë vetes për mungesë kuraje. Por e kundërshtova, i thashë po ja, Bulevardi, Amfiteatri te Liqeni, Pazari i Ri, por nuk dëgjonte nga ai vesh. E tha edhe Kryeministri teksa bënin dyzën për çmimin, lufta më e vështirë është ajo me lajmet e rreme dhe ai si paladin i së vërtetës e ka me provë. Ky u thotë vetëm Aeroporti i Vlorës do të hapë 27 mijë vende pune, disa mërmërisin me zgërdhirje se ai i Francës “Sharl De Gol” bashkë me policët ka tremijë e shtatëqind. S’ka faj.
Ashtu është! Shqipëria si e zënë në lak, pret një lajm a fjalë nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave. Disa thonë do na i hapin, por ne të hapim zemrat për 600 mijë sirianë! Tollovi e madhe, hidh e prit. Gjermanët thonë: i pari i dheut të shqipeve na tha, sillini tek unë, i pari këndej thotë gjepura. Europën e duam qamet, po sirianët sikur i kemi pak me bezdi, se urdi e madhe.
Saimir Tahiri duket më i qetë dhe Fatmir Xhafaj më i përunjur. Ambasadorët, Lu dhe Vlahutin, do të ikin së shpejti. Rapsodët popullorë pritet të shkruajnë këngët e duhura. Sali Berisha dhe Lulzim Basha duken të mërzitur. Do t’i marrë malli shumë për ta. I kanë pasur krah në çdo betejë politike. Paanësia e tyre do mbahet mend. Myslym Murrizi polemisti dhe një ndër intelektualët kryesorë të PD-së pritet të shkruajë një lamtumirë prekëse!
Ditmir Bushati dhe Kotzias kërcejnë “sirtakin”, vallen e Zorbës, hiq e mos këput për detin nga frika se mos Myslym Pashai i përcëllon në zjarrin patriotik me të cilin bëri flakë marrëveshjen e Berishës.
Bardhyl Londo është ca si i zymtë, megjithëse vapa nuk ia ka behur me shkulmet e saj. Flet gjithnjë e më pak e hesht gjithnjë e më shumë. Putirin e sheh qortueshëm por ende e lëmon me dorë. Nomatis vargje, por i ka marrë zët ata që i dhurojnë libra “Made in Albania”. Në pallatin e tij ishte dëgjuar potere e madhe, teksa dëbonte një prozator, që i çoi një roman me 986 faqe. Fjala “i pacipë” dhe “faqezi” dëgjohej nëpër shkallë si sokëllima e Rrapo Hekalit në betejë.
Në Tiranë ka ardhur përsëri arkitektja e njohur Elizabeta Terragni, kësaj here ajo, shtëpinë e Ismail Kadaresë që e ka blerë Bashkia, synon ta kthejë në një ftesë publike në studio, mes shtëpisë së hapur dhe muzeut për ata që duan të dinë më shumë për shkrimtarin dhe veprën e tij. Fort e ditur dhe e përkorë zonja, dashëse e madhe e vendit tonë!
Aurel Plasari ka mbajtur dy ligjerata mbresëlënëse mbi Skënderbeun e mesjetës dhe Marin Barletin. Haram e pastë që nuk bëri një për të sotmin.
Im atë ka një problem të madh e nuk di si t’ia zgjidh! Ai është 75 vjeç dhe prej vitesh përdor një motor “papaq”, të cilin tanimë nuk e nget dot, se nuk ka patentë. Policia u punon qindin të moshuarve, i kap dhe i rras në komisariat, se ashtu duken ata, të paqtë e modestë, por bëjnë korrupsion e krim të organizuar. Papaqet e rrezikojnë si mos kurrkush rendin kushtetues. Ca ditë në qeli u bëhen shëndet! Burgu për burrat është. Për më tepër, po ta marrin vesh që është baba im, Xhafaj u jep medalje. Pyetja ku duhet ta bëjnë kursin këta djelmosha 75-vjeçarë për të marrë patentën, mbetet? Për këtë i shkrova një SMS deputetes së zonës, ministres Nikolla, por ende s’kam marrë xhevap, se ata vetë janë të zënë në xhevapdhënie publike! Ndërkohë, papaqi rri nën hije si kalë plak.
Mark Marku miku im më i mirë, një nga mendimtarët me cilësorë të botës shqiptare dhe po kaq një shkrues i përsosur i gjuhës shqipe sot ka ditëlindjen, mbush plot 52 vjeç. Do të mërzitet për këtë lajm publik! I urojmë jetë të gjatë dhe ndonjë artikull më shumë për gazetën tonë të dashur “Panorama”.
Kënga e Jovanotti-t vazhdon “Son tornate le lucciole a Roma, Nei parchi del centro l’estate profuma -Janë kthyer xixëllonjat në Romë, në parqet e qendrës vera parfumon”! Atje më presin. Sofia numëron ditët. Koha për të bërë valixhet!