Zbulohet emri i porositësit të makinave ‘Toyota Auris’, në të cilat u sekuestruan 3. 4 milionë euro. Sipas dokumenteve doganore që Report Tv ka siguruar, Alban Mollaymeri rezulton si porositësi në Tiranë i 7 makinave, në dy prej të cilave u gjetën edhe eurot.
Ndryshe nga sa u pretendua dje se makinat ishin porositur nga një biznesmen kosovar, rezulton se ato janë të porositura nga Alban Mollaymeri, pronari i një servisi makinash modest në zonën e bregut të lumit në Tiranë. Gjithashtu, mësohet se origjina e makinave ka qenë Gjermania dhe jo Belgjika.
Nga dokumentet rezulton se porositës është Alban Mollaymeri, një pronar servisi dhe për t’i transportuar ka kontaktuar Edi Likën, i cili gjithashtu ka një servis makinash dhe një kompani trasnporti. Ndërkaq, dy makinat e tjera, një ‘Opel’ dhe një ‘Alfa Romeo’ që ishin mbi kamion bashke me 7 Toyotat, janë porositur prapë në të njëjtin koncensionar.
Alban Mollaymeri, që rezulton porositësi i makinave të ngarkuara me para, sipas dokumenteve të siguruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ka hapur një licencë rishtazi, e cila mban datën 10/10/2017, por pa dhënë detaje apo specifikuar nëse kompania ka si objekt aktiviteti edhe importimin e makinave. Por edhe pse Alban Mollaymeri rezulton pritësi i makinave, sërish ngrihen dyshime nëse është ai destinacioni final i 3. 4 milionë eurove apo persona të tjerë fshihen pas tyre.
Veprimet e para për këtë dosje hetimore janë kryer nga prokurori pranë Prokurorisë së Durrësit, Sokol Nishani, vëllai i ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, i zgjedhur nga radhët e PD, por më pas është vendosur transferimi i dosjes. Sot mësohet se çështja ka kaluar në duart e Ornela Rrumbullaku, e cila është përgjegjëse e strukturës së Task Forcës pranë prokuorisë për krimet të rendë në Tiranë.
a.ç