Presidenti Ilir Meta kërkon që India të rishikojë qëndrimin e saj ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ai ka folur me ambasadorin e ri të Indisë në Tiranë, Thanglura Darlong, gjatë paraqitjes së kredencialeve të tij.
Duke folur për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Meta nënvizoi rishikimin e qëndrimit të Indisë ndaj Kosovës, si një kontribut i drejtë për drejtë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Indisë, si dhe lidhjen e fortë që Nënë Tereza krijoi midis dy vendeve.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta nënvizoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe të kontakteve të drejtpërdrejta mes sipërmarrësve dhe qytetarëve të të dy vendeve.
Gjetja e mekanizmave praktike për lehtësimin e regjimit të vizave dhe lëvizjes së sipërmarrësve dhe qytetarëve të të dy vendeve do të ndihmonte shumë në këtë drejtim – theksoi Presidenti Meta.
a.ç