Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri njoftoi se do të kryhen investime të reja në portin e Durrësit për zgjerimin e kalatave që do të bëjë të mundur rritjen e kapaciteteve përpunuese. Ndërsa iniciativat e qeverisë përmes Partneritetit Publik Privat, ai i quajti një format i suksesshëm.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë organizoi një aktivitet prezantues mbi implementimin e Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe Planin e saj të Veprimit 2016-2020. Në takim mori pjesë ministri Damian Gjiknuri dhe përfaqësuesi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri Mario Mariani. Raporti është një analizë e zbatimit te Strategjisë së Transportit dhe Planit të Veprimit.
“Integrimi në Bashkimin Europian dhe progresi në këtë drejtim nuk është vetëm forcimi i institucioneve, nuk është vetëm një demokraci më e mirë dhe funksionale por mbi të gjitha krijon dhe një akses për vende si Shqipëria që të kenë mundësi të adresojnë fondet e konsoliduara të BE që janë gjithmonë mënyra më e lirë për të financuar shumë nga objektet tona”, tha ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.
Objektivi kryesor i qeverisë shqiptare theksoi ministri Gjiknuri, është përshpejtimi i integrimit të sistemit të transportit, si një parakusht për zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë.
“Mbështetje do të kemi edhe me investimet që do të ndodhin shumë shpejt në portin e Durrësit, përfshirë edhe thellimin, por edhe investimet e BERZH-it për zgjerimin e kalatave aty do të bëjë të mundur që të rriten kapacitetet përpunuese”, u shpreh Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri hodhi poshtë akuzat e opozitës se Partneriteti Publik Privat nuk është i suksesshëm.
“Qeveria shqiptare ka zgjedhur një nga format të dukshme të suksesshme edhe që është e kontrollueshme nga pikëpamja e financimit dhe e alokimit të riskut, që është përfshirja e partneritetit privat në investime në ndërtimin e rrjetit rrugor shqiptar apo modeleve të tjera të transportit, qoftë në aeroporte, qoftë nesër edhe në fusha të tjera. Është një praktikë që e ndjekin të gjitha vendet e BE-së, është një praktikë tashmë e njohur, kuptohet me parimin që nganjëherë një pjesë të riskut e merr shteti nëpërmjet alokimeve buxhetore, por një pjesë të riskut nesër do ta marrin edhe përdoruesit e rrugës, që do të thotë që përdoruesit e rrugës do të paguajnë për përdorimin e një infrastrukture jashtëzakonisht më të përmirësuar nga pikëpamja e standardeve”, deklaroi Gjiknuri.
ma.me