Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në vijim të vizitës në Bruksel u prit në një takim nga homologu belg, Jan Jambon. Gjatë takimit Ministri Xhafaj bëri një përmbledhje të arritjeve të deritanishme në fushat e veprimit të Ministrisë së Brendshme.
Xhafaj prezantoi rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” si dhe u ndal edhe te rezultatet në luftën kundër fenomenit të kanabisit, qëllimi i së cilës është heqja përfundimisht e Shqipërisë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis.
Në vijim biseda midis dy Ministrave u fokusua te lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm si dhe çështjet që kanë të bëjnë me azil kërkimin dhe migracionin e parregullt, të cilat janë kthyer në çështje të diskutuara në Belgjikë.
Duke qëndruar tek çështja e azil kërkimit, Xhafaj nënvizoi se “Ministria e Brendshme dhe strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë një sërë masash për uljen e numrit të azil kërkimit dhe adresimin e çështjeve të migracionit të parregullt. Shqipëria, edhe në sajë të kapaciteteve të kufizuara që disponon, ka arritur të shpreh suksese të qenësishme në këtë drejtim, por nevojitet një mbështetje më e gjerë nga partnerët e Bashkimit Evropian”.
Ministri belg u shpreh se sfidat që po has Shqipëria, janë po të njëjtat me ato të vendeve anëtare të BE-së, duke marrë si shembull terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, ku jo më larg se disa javë më parë, Belgjika u godit nga ky fenomen.
Të dy ministrat theksuan se bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e sigurisë është shumë i mirë, por ka ende vend për një intensifikim të tij në fushat me interes të përbashkët. /b.d