Bujar Asqeriu ka sqaruar takimin me artistët dhe kryebashkiakun Erion Veliaj të organizuar ditën e sotme.
Aktori i njohur tha se nuk mundi të dëgjohet ashtu siç duhet duke paralajmëruar se do dalë në një video-konferencë në Facebook për të shpalosur mendimet e tij.
Sa i përket sulmit të drejtorit të Teatrit Kombëtar Hervin Çuli ndaj aktorit Mirush Kabashi, ai gjykon se është një mungesë respekti për artistin që na ka nderuar nëpër skenat e botës.
“Isha tepër i revoltuar dhe fola qartë. Fola dhe ika nuk qëndrova më shumë, por më vjen keq që fjala ime u pre. Kur dola unë sikur doli kuçedra, ma prenë fjalën.
“Këta nuk pëlqejnë t’i kritikosh. E përqafova Veliajn kur shkova, më përqafoi edhe ai. I thashë na respektoni njëherë ne, ju respektojmë 100 herë.
Unë e kuptoj se nuk na doni se ju themi jeni hajdutë por mos na e mbushni mendjen neve që nuk jeni hajdutë.
Mbushjani mendjen Departamentit Amerikan të Shtetit, mbushjani mendjen BE dhe institucioneve të specializuara. Kur të thonë ata që korrupsioni po shkon drejt zeros atëherë na e mbushni mendjen edhe ne.
“Do dal live do flas më popullin. Atyre ua thashë troç që jeni të gjithë hajdutë”
“Çuli nuk është asnjë miligramë e Mirushit, i merr në gojë rrogën, bukën e gojës një artisti që ka nderuar Shqipërinë në skenat e botës, po si guxon ky?!
Medi Malkaj doli në pension, ky drejtor nuk i dha as dorën, ju nuk keni as dashuri, asgjë”, tha Asqeriu për BW.
Aktori sqaron se Çuli vetëm ka qeshur kur fliste ai në takimin e sotëm./a.m.