Finalizohet nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, operacioni policor i koduar “Banesa 2”, në kuadër të të cilit u arrestua një ndërtues i cili shiti të njëjtin apartament dy herë në persona të ndryshëm.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë më datë 08.06.2018, në kuadër të operacionit policor të koduar “Banesa 2”, ndaluan shtetasin :
– B.A. 57 vjeç, banues në Tiranë (me profesion ndërtues dhe aktivitet privat në fushën e ndërtimit )
Arrestimi i këtij shtetasi u bë, pasi shtetasi G. Sh., ka kallëzuar se është mashtruar nga shtetasi B.A. për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 65 m2, me leje zhvillimore Nr.224, datë 16.06.2010, në vlerën 30 000 Euro, apartament të cilin ndërtuesi B.A. më datë 17.03.2018 ia ka rishitur shtetasit B. I., duke përfituar një shumë 35 milionë lekë.
Gjithashtu u proceduan në gjëndje të lirë shtetaset :
– A. A., 57 vjeçe, banuese në Tiranë ( me detyrë Administratore e firmës së Ndërtimit )
– G. Ç., 35 vjeçe, banuese në Tiranë ( me detyrë Ekonomiste e Firmës së Ndërtimit )
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “ Mashtrim në shuma të mëdha”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose Formularëve” dhe “Fshehje e të ardhurave”, parashikuar nga nenet 143/2, 189 dhe 190 të Kodit Penal./a.m.