Presidenti i republikës Ilir Meta ishte sot në Pustec i pranishëm në një aktivitet me rastin e hapjes së sezonit të ri turistik.
I pyetur nga gazetarët, ai ka komentuar edhe lajmin e përhapur në media për ekzistencën e një plani për ngritjen në Shqipëri të një qendre për strehimin e ish-luftëtarëve të ISIS që kthehen në rajon.
Qeveria e hodhi poshtë lajmin ndërkohë Meta tha se “askush nuk e cenon sigurinë kombëtare aq më tepër në prag të sezonit turistik”.
I pyetur për shanset për hapjen e negociatave, referuar tre vendeve skeptike, u përgjigj se “Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për sukses”.
“Unë besoj se janë të gjitha mundësitë që vendi ynë të ketë sukses duke marrë një mesazh pozitiv. Këshilli i vendeve anëtare të BE-se në mbështetje të rekomandimit pozitiv të KE-se dhe për këtë të gjithë duhet të punojmë të angazhohemi për mirë për pritshmeritë jo vetëm të partnerëve tanë por edhe të këshilltarëve në mënyrën më të përgjegjshme dhe bashkëpunuese, jashtë cdo fryme konfliktuale dhe përjashtimi artificial”, tha Meta./a.m.