Nga Veton Surroi/
“Nëse fillojnë negociatat në qershor, i tërë dhjetëvjetëshi i ardhshëm do të kalojë në mashtrim të ndërsjellë. Shqipëria do të përpiqet ta mashtrojë BE-në se nuk është duke marrë pjesë që tani në tregun e punës të BE-së, e BE-ja do ta mashtrojë Shqipërinë dhe veten kinse nuk di se kjo po ndodh“
1.
Berberi im në Prishtinë ka nja gjashtë muaj që e ka të hapur konkursin për berber/asistent. Atyre që pranojnë ua jep përvojën e tij falas dhe një rrogë minimale prej 350 eurosh. Deri më sot nuk ka të lajmëruar për vend pune.
Dikur, dhe jo shumë moti, para luftës, ekzistonte tradita e kallfasë, të atij që shkon e merr mësim te ustai dhe pastaj, kur ta marrë zanatin, i hyn punës. Familjet i çonin fëmijët e tyre për të marrë zanat, pa pritur të merrnin rrogë. Herë-herë duhej qerasur mjeshtrin që ta pranojë fëmijën për atë që sot quhet asistent zanati.
Por kjo nuk ndodh sot. Berberi im, në analizën më të mirë sociologjike për momentin, cek dy faktorë thelbësorë pse të rinjtë nuk lajmërohen në konkurs fare. Njëri është faktori evolutiv (kohë) dhe tjetri, i lidhur me të, faktori i projeksionit alternativ të ardhmërisë. Në fakt, berberi tha diçka më të thjeshtë: “nuk e do kush paren me rrogë, dalëngadalë” dhe “çdonjëri po i pret vizat e me dalë”. Por, kur e përkthen në rrafshet kohore, del se në kulturën e të rinjve – të atyre që nuk lajmërohen në konkursin e berberit – nuk ekziston bindja se në formë evolutive – së pari si asistent, pastaj si berber, pastaj si pronar dyqani vetjak – mund të arrihet rehatia ekonomike e sociale. Dhe dy, edhe po të ekzistojë një evolucion i këtillë, më mirë që ai të bëhet diku jashtë Kosovës – në Zvicër, Gjermani, Suedi.
Liberalizimi i vizave, kështu, nuk është vetëm faktor politik – njëra Qeveri ra gjoja ngase nuk mund të siguronte liberalizimin e vizave e tjetra që është sot në pushtet këtë e mori gjoja sepse do ta sigurojë liberalizimin e vizave – por është faktor determinues ekonomik e social.
Dhe e dikton kohën.
Nuk janë duke e pritur lajmin për liberalizimin e vizave vetëm partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, për të arsyetuar veprimin e vet politik pro apo kontra, por është duke e pritur një lumë joaktiv i njerëzve, të cilët me t’u liberalizuar vizat do të ruajnë dy mijë apo tre mijë euro që i kanë marrë borxh apo kursyer familjarisht për të ikur rrugëve ilegale dhe do të nisen për në aventurën që duhet t’u krijojë jetë të re.
Paradoksalisht, Qeveria më e suksesshme kosovare do të bëhej, pra, ajo që siguron që sa më shumë njerëz të largohen sa më shpejt nga Kosova për në Evropë. Dhe ky është indikatori më i mirë sesa është besimi në perspektivën personale brenda vendit.
2.
Pronari i lavazhit në Kavajë, ku e laj veturën, e ka hallin pothuajse të njëjtë. Nuk po mund të gjejë punëtorë për të larë vetura. Ata që i kishte ikën, kush në Holandë e kush në ndonjë shtet tjetër. Vazhdojnë të lajnë vetura, por këtë e bëjnë në Holandë a ndonjë shtet tjetër, dhe dy shpjegimet sociologjike të berberit tim janë të vlefshme edhe për ata. Evolucionin e tyre e shohin duke larë vetura, fillimisht, e pastaj ndoshta të jenë edhe pronarë – por pronarë në Holandë, ku kostoja e punës është shumëfish më e lartë sesa në Kavajë dhe ku, të vendosur në një tren stabil i quajtur shtet social i së drejtës që ka ecur me qindra vjet më herët e do të ecin qindra vjet më tutje, mund të parashihet ardhmëria e sigurt.
Janë axhustatorët, muratorët, kamerierët – më thotë një pronar hoteli dhe ndërtimtar – që po ikin me të madhe. Pra, ata që nuk kanë nevojë as të mendojnë në formë evolutive: si axhustator e murator mund të fillosh tash e të punosh deri në pension dhe do të kesh një jetë të respektueshme.
Dhe, janë edhe infermieret dhe mjekët që po shkojnë. Prej shtetit ku ende mund të zbulosh sëmundje që janë harruar në vise të tjera të Evropës, shkojnë mjekët dhe infermieret shqiptarë për të hyrë në një garë të sistemeve të avancuara të mjekësisë në nivel botëror, siç është rasti me Gjermaninë a Suedinë.
Qeveria e Shqipërisë do ta shënojë si sukses të vetin fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Në fund të atij procesi shtetet anëtare të BE-së mund ta pranojnë Shqipërinë si shtet anëtar, duke i vënë kufizime kohore për të marrë pjesë në tregun unik të punës.
Nëse fillojnë negociatat në qershor, i tërë dhjetëvjetëshi i ardhshëm do të kalojë në mashtrim të ndërsjellë. Shqipëria do të përpiqet ta mashtrojë BE-në se nuk është duke marrë pjesë që tani në tregun e punës të BE-së, e BE-ja do ta mashtrojë Shqipërinë dhe veten kinse nuk di se kjo po ndodh.
3.
BE-ja mund të shikohet si një aspirator i madh. Së pari i thith njerëzit, e nëse ia vlen edhe shtetet ku jetuan ata njerëz. Kështu ndodhi me portugezë e spanjollë, grekë e kroatë, bullgarë e rumunë. Restorantet dhe kantieret e ndërtimit janë histori evolutive integrimi: dikur ishin spanjollët kamerierë e pastaj erdhën bullgarët, dikur ishin portugezët muratorë e pastaj u bënë polakët dhe pastaj rumunët.
Dallimi mes të gjithë këtyre është se shqiptarët janë nja 50 vjet andej, prejse Mareshali Tito vendosi se është më mirë të kesh emigracion të pasur se popullatë të varfër e të pakënaqur. Dhe, për dallim prej të gjithë këtyre, shqiptarët, këta të Kosovës, nuk shohin ende pikën kritike ku aspiratori i madh i BE-së do të fillojë të thithë brenda pos njerëzve edhe shtetet.
Në rastin më të mirë, shqiptarët e Kosovës presin që të jenë si shqiptarët e Shqipërisë, të kenë të drejtë me pasaportën e tyre të dalin e të kërkojnë punë në Evropë pa vizë. Në rastin më të mirë, shqiptarët e Shqipërisë presin të jenë si serbët, një shtet që negocion për t’u anëtarësuar në BE, por pa i rregulluar ende punët në shtëpi; njëri shtet nën influencë të madhe të krimit të organizuar të drogës, tjetri shtet nën influencën e madhe të krimeve kundër njerëzimit dhe derivateve më të rëndomta kriminale.
4.
Ka mbetur një traditë, pak nga turizmi, pak nga librat e historisë, që shqiptarët të nisin delegacionet e veta nëpër kryeqytete të Evropës për t’u ankuar për padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve. Para njëqind vjetësh delegacionet e mustaqokëve – gegë e toskë, priftërinj e shkrimtarë – që shkonin për t’iu treguar kancelarive të Perëndimit se nuk jemi otomanë, se jemi sikur ta, se do bëhet padrejtësi po të mos na bëjnë shtet. Pas njëqind vjetësh, delegacionet nga Shqipëria e Kosova nisen për diçka që sot quhet lobing; delegacionet shqiptare, të të dyja shteteve kanë pothuajse të njëjtin refren: na bëhen padrejtësi, nuk jemi otomanë, jemi evropianë. Dhe, kërkesa: meqë jemi evropianë, na e bëni shtetin (shtetet) e tillë.
Njëqind vjet më pas, kancelaritë evropiane nuk varen prej letrave të gjata të konsujve për të kuptuar sa jemi evropianë, e as nga impresionet e mustaqokëve – gegë e toskë, priftërinj e shkrimtarë – por nga incizimet satelitore që tregojnë sasinë e drogës së kontrabanduar dhe përllogaritjet e thjeshta online që tregojnë se me çfarë shpejtësie marramendëse sunduesit e shtetit të ri në Evropë arrijnë të vjedhin thesarin dhe çdo gjë publike, pos atyre që quhen shtëpi publike, që janë pjesë e feudeve të tyre.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Kosova janë duke nisur një valë të re evropianizimi. Në këmbë, duke kaluar një për një e njëqind për njëqind dhe një mijë për një mijë kufijtë e BE-së me shpresën imediate se në atë moment janë shndërruar në diasporë.
ma.me