Brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim ka debat nëse kjo forcë politike po drejtohet më mirë tani nga zonja Monika Kryemadhi, apo më herët kur ishte Ilir Meta.
Në studion e emisionit “Politika Online” të gazetares Marsela Karapanço ka folur ish-ministrja Klajda Gjosha.
Ajo ka thënë se largimin nga LSI e shikon si fundin e karrierës së saj politike.
E sa i përket pyetjes se cili nga të dy, Monika apo Meta është më i mirë në drejtimin e partisë, zonja Gjosha ka dhënë këtë përgjigje:
“Janë të dy të jashtëzakonshëm në mënyrën e vetë.
Zoti Meta ka qenë më shumë institucional edhe me komunikimin me gjithë drejtuesit e tjerë.
Zonja Kryemadhi është shumë herë më popullore, shumë herë më e hapur për bashkëpunim.
Debati në LSI është shumë herë më i hapur le të themi.
Kur një parti politike drejtohet nga një grua, përgjegjësia është e jashtëzakonshme dhe vetë partia merr një rrjedhë tjetër, që ndoshta burrat mund ta kenë pak më të vështirë për tu mësuar, por për ne gratë është një komoditet i jashtëzakonshëm .
Është mirë që i kemi provuar të dy liderët tashmë”. /b.d