Pas një statusi më parë në Facebook, kryebashkiakja i Shkodrës, Voltana Ademi, ka folur më gjerë në lidhje me rënien e Vllaznisë nga Superiorja. Një ngjarje sportive, e përjetuar si dramë në kryeqendrën e veriut.
Në një dalje publike në një televizion lokal ( “Tonight” në “Star Plus TV”, Ademi iu ka bërë këtë analizë shkaqeve që e dërguan skuadrën kuqeblu një kategori më poshtë, tek inferiorët:
“6 javë para se mbaronte kampionati nuk kishte mobilizim të duhur për ta mbërritur mbijetesën në Superiore.
Kur nuk mungojnë kushtet, ti mundesh, kur je i aftë, ti mund ta arrish.
Kam verifikuar se kishte probleme që lidheshin me mobilizimin dhe angazhimin e gjithsecilit.
Kam bërë një takim me mediat dhe lojtarët për atë që ka lidhje me përgjegjësinë.
Jam përpjekur që të siguroj të gjitha kushtet, që edhe mendja ime të mos thoshte se mungon kjo gjë.
Administrata e bashkisë nuk luan futboll.
Luajnë ata që kanë marrë përsipër të luajnë.
Askush nuk priste dhe nuk donte që të kishte një tërheqje të teknicienëve apo edhe shumë lojtarëve, që për shkak të mosangazhimit të vet nuk bënin atë që duhet, edhe pse ishin krijuar të gjitha kushtet.
Unë s’jam tekniciene e futbollit, por kryetare e bashkisë.
Jam përpjekur të bëj maksimumin.
Jam krenare që jam kryetare e Bashkisë Shkodër, që ka 100% aksionet e klubit “Vllaznia”.
Ka një piramidë të koklavitur, që nis që nga administratori, bordi dhe stafet teknike.
Jam përpjekur që të jem aktive dhe as mua s’më pëlqen rezultati.
Ndoshta më herët duhej të tregohesha radikale, por s’jam specialiste.
Nuk e di unë nëse Hasanit duhej t’i jepeshin letrat për t’u larguar apo jo
. Largimi i tij aspak etik solli probleme në skuadër dhe kjo dukej qartë, sepse nuk bëri gjënë e duhur.
Unë nuk isha dakord për t’i dhënë letrat dhe isha më radikale se gjithë ata që morën vendimin dhe e lejuan të largohet.
Klubet private funksionojnë krejt ndryshe. I gjithë klubi “Vllaznia” nuk ka arritur që të ecë përpara në aspektin teknik dhe nuk mjafton sa para ke hedhur dhe se ke krijuar kushtet.
Nuk mjaftojnë shumë gjëra, përjashto akademinë, që është pak më ndryshe.
Klubi nuk ka mundur që të ringrihet për vite me radhë, gjë që nuk ndodh me aspektin administrativ dhe procedurial.
Ishte Tirana, Partizani apo Elbasani në dorën e privatit dhe u rrëzuan.
Unë them se duhet që bashkia dhe privati bashkë ta drejtojnë klubin e futbollit, ndryshe nuk funksionon besoj”./a.m.