“Nga sot jeta ime ka marrë fund“, kështu mësohet të jetë shprehur 57-vjeçari Xhevdet Mehmeti gjatë marrjes në pyetje në polici. Ai akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, 52-vjeçares Elca Tereziu pasditen e 27 Majit, në shtëpinë e tyre në Piacenza të Italisë.
Në kulmin e një zënke, që duket se në familjen e çiftit shqiptar ishin të herë pas hershme, burri mori një thikë dhe e goditi të paktën tre herë, më pas u dorëzua në polici.
Ishte djali adoleshent i çiftit që njoftoi ndihmën e shpejtë, ndërkohë që gruaja gjendej përtokë e mbuluar nga gjaku.
Fatkeqësisht për Elca Tereziun nuk mund të bëhej më asgjë.
Dy fëmijët, të moshës 17 dhe 19 vjeç pasi u morën në pyetje nga autoritetet italiane, po qëndrojnë tashmë me familjarët e tyre.
Për mediat fqinje, avokati mbrojtës i shqiptarit tha se Mehmeti iu ishte përgjigjur të gjitha pyetjeve të karabinierëve. “Është shumë i tronditur dhe po kupton atë që ka bërë, pavarësisht se nuk e mban mend mirë sulmin ndaj gruas”, tha mbrojtja. Sipas këtij të fundit, në polici 57-vjeçari ka treguar për një martesë të vështirë dhe problematike, e vështirësuar edhe më shumë, sipas tij nga xhelozia pa motiv e bashkëshortes. Të paktën kështu ka pretenduar Mehmeti në polici.
Ditë të shumta me zënka dhe konfliktualitet, familjet e tyre mësohet se ishin përpjekur që të ndërhynin dhe në Tetor gruaja kishte shkuar tek prindërit e saj në Greqi, por kur ishte kthyer asgjë nuk ishte përmirësuar.
Rreth orës 16:00 të 27 Majit, Elca Tereziu ishte në telefon me vëllain e saj, në një bisedë ku gruaja, gjithnjë sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, i ishte referuar me epitete fyese të shoqit dhe ky i fundit ishte gjendur përballë saj.
52-vjeçarja po ankohej për sjelljen e tij, derisa Xhevdet Mehmeti i kishte marrë telefonin nga dora në përpjekje që të binte të vëllain e saj që ta qetësonte, por më pas situata ishte përkeqësuar.
Viktima ia kishte marrë celularin nga dora dhe më pas kishte hedhur sende në tokë, derisa kishte rrëshqitur në tokë dhe në këtë moment burri e kishte goditur gruan me thikë.
Mehmeti pretendon se ishte gruaja ajo që kishte sjellje agresive ndaj tij. Ajo nuk kishte besim dhe mendonte se 57-vjeçari kishte gra të tjera, tradhti të cilat ai i kishte mohuar gjithmonë.
Pasi e kishte goditur dhe kishte parë gjakun, ishte ngritur… kishte ndërruar rrobat dhe ishte nisur me makinë për t’u dorëzuar tek karabinierët.
Djali 17-vjeçar, që mediat italiane saktësojnë se gjatë gjithë zënkës kishte qëndruar në dhomën e tij të gjumit, mësohet se ka dalë një moment që i ati është larguar. Ai e gjeti të ëmën e tij të pajetë, në dyshemenë e kuzhinës dhe ishte personi që njoftoi ndihmën e shpejtë.
a.ç