Nga Mira Kazhani
Një pjesë e madhe e jona jeton brenda makinës së vet, zyrës së vet, shtëpisë dhe lagjes së vet. Zbret në mëngjes, rrufit kafen nga ekspresi, kontrollon a e mori celularin (aty ku ndodhen treçereku i botës dhe prej tyre ke në zemër maksimumi 10 kontakte), i cili gjithë ditën do bjerë për hallet e të tjerëve dhe rrallë për ty, por duhet dhe jeta pa të sikur ndërpritet, stakohet, ti gjendesh në askund, nëse nuk ke aparatin e vogël me app-se dhe zilet e preferuara.
Ndez makinën dhe nga parkingu i pallatit tek i zyrës; nëse të duhet të shkosh në një qendër tregtare për të bërë pazar, ka edhe aty parkim. Kudo është e njëjta rutinë me të cilën jemi njësuar aq fort, sa nuk e dimë më shijen e aromës së qytetit, e prekjes së tij me këmbët tona, përmes një ecjeje të shpejtë a të relaksuar, si ata nëpër filma – sepse sot ecja është luks, jo makina.
Në lagjen time ka ende shtëpi tiranasish, të cilët s’janë marrë vesh për pronat dhe për fat lagjja ku jetoj mban era jasemin, bli dhe një tip peme tjetër që nuk ia di emrin. Mbase është kumbull, po s’jam e bindur. Më pëlqen shpesh, në këto kohë – por në çdo kohë, po të mundja – të bëj një copë udhë në këmbë. Makina është një stres dhe kur mendoj flladin që të çan hundët nga era e jaseminëve e fut shpesh çelësin e Fiati-t në çantë pa pendesë dhe eci deri në qendër. Nga shtëpia ku jetoj, Pazari i Ri, Qendra Toptani, Plaza por edhe Liceu janë pika krejtësisht të arritshme me këmbë.
Të shtunën, pas një darke në zonën rreth Liceut, vendosa të mos marr taksi dhe t’i jepja vetes kënaqësinë e vogël por luksoze të kthimit në këmbë në shtëpi, siç kisha bërë kur dola, duke e lënë makinën si një lopë që pushon nën hije në zhegun e verës. Kjo është e bukura e jetës. Dreq! Të ecësh mbi dy taka të vogla, me çantën që e kolovit sa andej këtej dhe të kontrollosh telefonin se mos ka ndonjë mesazh të mirë, ose ta kontrollosh kot dhe ta shkruash ti një sms.
Të ecësh e lumtur në qytetin për të cilin flasim gjithë ditën dhe e shohim nga makina. Minutat e para mendon se Tirana është yll, se jemi pak të fiksuar me makinën dhe fundja rrugët janë ndriçuar, Lana nuk gulçon aq si dikur dhe bliret e lulet e çelura të pranverës bëjnë punën e tyre. Papritur, ndjen se një makinë përkarshi teje ecën me marsh të parë. As tre metra larg teje është një pervers, që e di shumë mirë se gruaja që ecën në trotuar nuk do ta kthejë kokën. Por ai, që edhe provën e ka si trofe, ka një papërmbajtje që ngjan me qentë e lodhur por që ende dihasin e duan të kafshojnë, ama në fund largohen.
Ikën dhe shoferi i Benz-it. Mendon që mund t’i rikthehesh shëtitjes tënde të kthimit në shtëpi dhe se ishte veç një kombinacion i keq. Fundja qëllon të rastisë njeriu edhe ndonjë pervers kudo. Ia falim!
Është ora 11 e 34 minuta. Jo aq vonë për t’u trembur dhe përgjatë rrugës ka me shumicë kalimtarë të të gjitha moshave dhe gjinive. Je duke ecur, kur një tip vjen dhe të përplaset qëllimisht në shpatull dhe largohet.
Pyet veten: pse duhet ta bëjë një burrë këtë? Pse duhet të karambolohet me krahun tënd kur gjerësia e trotuarit tek Nëntëkatëshet ka vend të kalojë një marsh me burra e gra? Një zot e di, burrin e vetmuar, që po ta shohësh paradite mund ta marrësh edhe në punë, se duket tip normal. Akoma pa shkuar në vend rrudha e këmishës pas përplasjes, dy të tjerë, pak metra më tutje, i dëgjon tek thonë fjalë seksi por që nuk ngjajnë me seksin.
Janë dy perversë në të vërtetë, që duhet të kenë gra, të dashura, motra. Gjatë ditës me diell duhet të kenë një jetë dhe ata, kanë miq me të cilët bëjnë pushime, jetojnë në Tiranë dhe kanë jetët e tyre -po ta mendosh, pa neverinë që përhapnin duke ia zbehur natës mrekullinë e saj me ajër, blire, jasmine, kumbulla, muzikë live, pica, sufllaqe, koktejle dhe bori makinash.
Por, të mjerët, duket se janë në orarin kur kthehen nga njeri në qen. Iu lëshohen instinkteve shtazarake dhe të kujtojnë se këta, ai i Benz-it, burri që i pëlqente të karambolonte shpatulla, dy burrat që dinin më shumë fjalë të pista sesa sasinë e lekëve në kuletë; ekzistojnë edhe në Facebook, sidomos aty.
Nata dhe rrjeti e mban gjallë këtë soj. Komentojnë, shajnë, japin mend dhe flasin me siguri edhe për moral. Se ata nuk jetojnë në pyll, jetojnë në kryeqytet, kanë familje, nënë, babë, motra, të dashura, gra, shoqe, që mjerë ato bukuroshe kujt i vënë pjatën e ngrohtë përpara, kujt i falin zemrën dhe djalin në maternitet. Por, secili matet me fatin e vet dhe maniakë e perversë ka kudo.
Vetëm se 15 minuta rrugë njeriu do t’i shijojë për shpirtin e tij dhe mbërrin e neveritur në shtëpi, nga qyteti yt, që ende ka forma mesjetare epshesh, që të bëjnë të ndërrosh mendim dhe të mos dalësh më kurrë pa makinë. Shoqëria i bën qytetet. As politikani, as jasemini, as pllakat e trotuarëve, vijat e bardha dhe ditët e festave. Janë një hiç para fuqisë që i jep një shoqëri normale qytetit të vet. Ne nuk e dimë sesa keq jemi, për sa kohë nuk zbresim nga makina jonë dhe unë preferoj të mos i shoh më disa gjëra në sy. Nuk kemi kohë të ndryshojmë botën e askujt, as tonën!
(Tiranapost.al)