Prokuroria e Durrësit ka rënë pre e grabitjes gjatë natës së kaluar, ku dyshohet se janë marrë disa dosje korrupsioni nga zyra e një prokurori dhe një oficeri të policisë gjyqësore. Organi i Akuzës së Durrësit është grabitur për herë të dytë brenda muajit maj, ndërsa është një ndër organet më të rëndësishme të drejtësisë në vend, teksa ka iniciuar një sërë dosjesh të bujshme shkruan Shqiptarja.
Prokuroria e Durrës ka hetuar dosjen e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, e cila vetëm pak kohë më parë është transferuar te Krimet e Rënda. Një tjetër dosje e rëndësishme e hetuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës është edhe ajo e çiftit Gina-Gashi. Prokurorët Dritan Gina dhe Rovena Gashi kanë qenë subjekt hetimi në këtë institucion, deri pak ditë më parë, kur dosjet e tyre kaluan në Prokurorinë e Fierit.
Gjithashtu, Akuza e Durrësit ka në dorë një tjetër dosje mjaft me rëndësi, siç është ajo e abuzimit me pronat dhe plazhet publike në Ishëm, ku u arrestuan dhe katër ish-zyrtarë të shtetit, mes të cilëve dhe ish-kryetari i Komunës Ishëm.
Dosja e 613 kg kokainë të kapura në Maminas, e cila ditët e fundit është kthyer në vëmendjen e politikës, po hetohet nga Prokuroria e Durrësit. Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama bëri një deklaratë të fortë, teksa u shpreh se zyrtarët më të lartë të PD kanë lidhje me 613 kg kokainë.
Këto dhe shumë dosje të tjera të bujshme kanë kaluar apo po kalojnë në duart e prokurorëve të Prokurorisë së Durrësit, të cilët po tentojnë të hedhin dritë mbi dosjet e abuzimeve dhe të korrupsionit, ku të përfshirë janë zyrtarë të lartë të shtetit.