Kryeministri Edi Rama nuk ka lënë pa komentuar protestën e paralajmëruar nga opozita, për t’u mbajtur të shtunën, më 26 maj.
Në intervistën e dhënë mbrëmjen e kësaj të hëne për ‘ABC News’ nga Gjirokastra, z.Rama tha se kjo protestë nuk është një aksion opozitar, por se sipas tij, opozita ka marrë përsipër një gjë shumë të rëndë, që është pikërisht pengimi i hapjes së negociatave.
“Të gjithë ata që do shkojnë në protestë, do të kuptojnë sa keq janë përdorur dhe sa pabesisht janë tërhequr në një rrugë proteste, që nuk është një rrugë për të udhëhequr vendin”, u shpreh Rama.
I pyetur lidhur me marrëveshjen e nënshkruar një vit më parë me Lulzim Bashën dhe se çfarë ka ndryshuar, Rama tha:
“Fakt është që mesa duket, kur firmosën marrëveshjen, ai mendoi se do të fitonte zgjedhjet, por humbja e thellë i riktheu aty ku ishin, ndoshta dhe më poshtë. Lidershipi i opozitës është i dëshpëruar, madje madje nuk besoj se ka nevojë të më kërkohet shumë mua në lidhje me këtë, sepse e thotë vetë Basha që Ramën nuk e mundim dot me vota,por duhet të gjejmë forma të tjera”.
I ngacmuar nëse do të ketë rezultate konkrete nga vettingu, ai tha se rezultatet spektakolare do të thellohen./a.m.