Nga Ilir Yzeiri
Në një studio televizive Sali Berisha tha se audiopërgjimi që u përdor për vëllain e Fatmir Xhafajt është autentike, por ne nuk e nxjerrim personin se kemi frikë se e vrasin. Berisha shquhet për deklarata të shpërpjesëtuara në raport me një mendje të shëndoshë. Ai është politikani i dalluar në Shqipëri që ka trashëguar nga ligjërimi komunist stilin e të folmes me konspiracion. Konspiracioni në themel është një dëshmi e gënjeshtërt apo një komplot që bëhet me një qëllim të caktuar. Nuk është as vendi dhe as koha për t’u marrë me konspiracionin si nënkulturë që përfshiu dhe Amerikën në një periudhë të caktuar. Këtu është rasti të themi se Berisha po shfaqet si një autor i romaneve policore dhe e ka zhytyr edhe PD-në në skenaret e tij që i ndërton gjithmonë me personazhe nga Ministria e Brendshme.
Deklarata që ai bëri në një studio televizive edhe të shkrin së qeshuri, nga njëra anë, por edhe të trishton nga ana tjetër. Sipas asaj deklarate, pra nëse do të besojmë se përgjimi audiviziv i kryer ndaj vëllait të Fatmir Xhafajt është i vërtetë, të shtyn të mendosh se në godinën e SHQUP-it janë instaluar pajisje të sofistikuara që mund të përgjojnë këdo, mjaft që Berisha, ashtu si komisari Megre apo si ndonjë sherif, të japë urdhër dhe natën në shi, nga SHQUP-i dalin skuadronët e përgjuesve e vihen në ndjekje të viktimës së radhës.
Nëse kjo është ë vërtetë shteti shqiptar ka rënë dhe shërbimet e inteligjencies në këtë vend janë jashtë funksionit. Por jo vetëm ato, por edhe trupi dilpmoatik i akredituar në vendin tonë nuk është më i sigurtë. SHQUP-i ka pajisje të tilla super moderne që mund të përgjojë këdo, madje nuk është çudi që herën tjetër syri i kësaj pajisjeje të sofistikuar të kapë ambasdoren Vllahutin apo ambasadorin Lu. Të gjitha këto që them e shkruaj nuk janë fantazi dhe as trillim, janë të vërteta përderisa asnjë institucion i specializuar nga ata që mbrojnë jetën e qytetarëve në këtë vend, nuk thotë asnjë fjalë, nuk bën asnjë interpretim. Për fat të keq, prokurorja Arta Marku, të cilën e kam mbështetur dhe e mbështes, vijon të njëjtin stil pune si parardhësit e saj. Asnjë komunikim me publikun.
Ndërkohë, deklarata e Sali Berishës në atë studio televizive ka edhe një pjesë të dytë. Ai thotë që nuk e tregojmë personin sepse kemi frikë mos na e vrasin. Edhe këtu, një analizë psikanalitike do të vinte re menjëherë hijen e vdekjes dhe të vrasjes që e shoqëron gjithmonë ligjërimin e Berishës. Trebicka i vrarë në një aksident, fjala vjen, mund të jetë një nga fantazmat që ia prish gjumin atij. Natyrisht atë audiopërgjim e ka realizuar një përson, por deri tani askush nuk e di nëse ky person është ndonjë punonjës i agjencive shtetërore që paguhet nga taksat tona për të na mbrojtur ne nga kriminelët apo është punonjësi i SHQUP-it në atë pajisjen super të sofistikuar që zotëron PD-ja dhe që mund të bëjë përgjime ambientale për këdo. Askush nuk e di dhe asnjë agjenci e specializuar në këtë vend nuk na thotë asnjë gjë për këtë ndodhi.
Sot përgjimet janë bërë një nga metodat rutinë dhe përhapja e teknologjive të komunikimit e të informacionit e ka bërë jetën tonë më të brishtë. Ne sot jetojmë në një fshat të madh dhe jemi të gjithë si në një Big Brather gjigand. Jetët tona, nga shumë pikëpamje, nuk e kanë më privatësinë e dikurshme. Këtë sfidë e kemi pranuar të gjithë dhe e kemi justifikuar me ritmin modern të jetës. Mirëpo, në qoftë se një parti politike në një vend demokratik dhe të lirë merr autoritetin e organeve ligjzbatuese dhe nis e përgjon njerëz, qofshin këta edhe kriminelë, atëhere shteti ka rënë. Nëse shantazhe të tilla përdoren për të shkaktuar kriza apo për të shkatërruar kundërshtarin politik, atëhere kushtetuta nuk eksziston më. Institucionet shqiptare të ligjit, SHISH, SHIU, Prokurori apo Polici nuk ekzistojnë më. Ato përdoren vetëm për të burgosur njerëz të pambrojtur, përdoren ndaj kundravajtësve të brishtë, por jo ndaj kriminelëve të veshur me kostume e me jaka të bardha. Sot SHQUP-i na tregoi se është një shtet më vete dhe një Republikë më vete që nuk u bindet institucioneve të shtetit shqiptar.
Ai, SHQUP-i, jo vetëm që nuk u bindet atyre institucioneve, por zotëron edhe një teknikë të sofistikuar për ta shantazhuar dhe për t’u përplasur me ta. Nuk ka asnjë vend të botës që një parti politike të kryejë audiopërgjime apo videopërgjime kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe t’i përdorë ato për kosnpiracion, pra për të rrëzuar qeverinë. Nëse ai audiopërgjim do të ishte i vërtetë dhe institucioni apo personi që e kishte kryer për njëmijë e një arsye e dorëzon në SHQUP dhe jo në prokurori, PD-ja do të duhej menjëherë ta dorëzonte në prokurori dhe të denonconte atë institucion që e kishte detyruar personin që kishte kryer audiopërgjigmin apo institucionin që të heshtte. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Ajo që ka ndodhur është ajo që deklaroi Berisha se ai audiopërgjim është autentik dhe ne, pra SHQUP-i nuk e tregojmë personin se kemi frikë mos na e vrasin. Dhe këtu si një Sherlok Holms i vërtetë ai na tregon të gjithëve se fantazma e Trebickës endet ende natën me xhaketë të ngjyer nga gjaku i aksidentit fatal.