Nga Altin Ketro
Mllefi që kupola e Partisë Demokratike ka treguar ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, nisi fuqishëm qysh ditët e para të punës së tij në fillim të vitit 2017 teksa zëvendësonte në detyrë Saimir Tahirin. Për ato dy muaj që ai mbajti atë detyrë të përkohshme, u zbraz i gjithë arsenali i mundshëm i municioneve që dispononte PD-ja. Gjatë asaj periudhe, kur Fatmir Xhafaj nuk kish ngrohur ende mirë karrigen ministrore, rrjedhimisht nuk kishte ndonjë rekord të dukshëm në luftën e policisë ndaj krimit, lind pyetja se përse u derdh gjithë ajo batare ndaj tij?! Natyrisht që duke qenë se Fatmir Xhafaj udhëhoqi komisionin që prodhoi Reformën në Drejtësi, ishte një arsye e fortë që ai të goditej për t’i dhënë zemër gjithë koorporatës së drejtësisë se reforma nuk do të kishte efektet që ishin shkruar e zeza mbi të bardhë.
Por, për ta kamufluar skenarin ogurzi, i shpikën të kaluarën, demek komuniste, që trashëgonte Fatmir Xhafaj. Për këtë, u synua në dy drejtime; njëra ku Fatmir Xhafajt i kujtohej e kaluara si hetues i diktaturës dhe tjetra, një foto ku ai kish dalë përkrah Diktatorit në një paradë 1 maji. Për të parën u sajuan dy dëshmitarë të rremë ku pa pikën e turpit fantazonin krime me heqje thonjsh që u kish bërë hetuesi Fatmir. Kur urdhërdhënësit e kësaj maskarade panë se dëshmitë e dëshmitarëve të rremë nuk përkonin me vitet kur Fatmir Xhafaj kish qenë hetues, hoqën dorë nga ky skenar dhe nga një xhelat, Fatmir Xhafaj papritur na u kthye në një qenie paqësore. Për skenarin tjetër, për ta baltosur me foton përkrah diktatorit, kjo është për të qeshur për dritëshkurtësinë që ka kjo opozitë. E kam imagjinuar shpeshherë situatën e asaj kohe, duke përfytyruar se si sekretari i rinisë i thotë studentit Xhafaj: “Shoku Fatmir, si një prej studentëve të shkëlqyer të drejtësisë që kemi, je përzgjedhur për t’i dhuruar lule shokut Enver në paradën e 1 majit.” Aty për aty, imagjinoja Fatmirin teksa rrudh vetullat dhe i kthehet sekretarit: “Çfaaaaaarë? Ti po më kërkon t’i dhuroj lule e të takohem me diktatorin Hoxha? Kurrën e kurrës!” Eh, pas kësaj do të ishin gjendur dy dëshmitarë të rremë dhe i shkreti Fatmir do ishte akuzuar se diku paskësh thënë se: “na mbyti fukarallëku, dyqanet bosh, s’kemi me ç’të mbushim barkun” dhe në bazë të nenit 55 për agjitacion e propagandë do kish përfunduar i pushkatuar dhe ku, as familja e internuar, e askush tjetër, s’do ta merrte vesh se përse u pushkatua në të vërtetë armiku Fatmir. Këtë situatë sillja ndërmend sa herë PD-ja i nxirrte atë fotografi ku i kërkonte me ngulm Fatmirit se përse nuk u bë disident dëshmor në rininë e tij.
Pas largimit të Fatmirit për shkak të marrëveshjes Rama-Basha për të dorëzuar në tavolinë, pa kushte, në kohë paqe, ministrinë e Brendshme, e kaluara e Fatmirit u harrua. Edhe kur u rikthye në atë ministri pas zgjedhjeve të qershorit, pasoi një periudhë qetësie nga opozita kashi tij. Hëm, por kjo paqe nuk zgjati shumë, sepse Fatmir Xhafaj nisi të udhëheqë me dorë të hekurt e të arrijë rezultate spektakolare në çrrënjosjen e kultivimit e trafikimit të hashashit, por sidomos në goditjen e drogave të forta dhe konfiskimit të aseteve kriminale. Këtu u riaktivizua sërish skenari i vjetër, me akuza të reja nga të mëparshmet, por të vjetra si ngjarje e të stërditura prej opinionit publik.
Kësaj here lufta nisi në tri fronte që kishin lidhje me njëra tjetrën. Targeti i akuzave u bë i vëllai, Agroni. Nëpërmjet emrit të tij ngjarja mori tjetër rrjedhë.
Së pari, u synua të rihapej dosja e akuzave 16 vjeçare për një dënim të të vëllait në shtetin italian. Ministri Xhafaj akuzohet se nuk e ekstradon, ndonëse nuk kemi asnjë urdhër ndalimi ndërkombëtar prej italianëve. Kur vetë këta të fundit nuk e kërkojnë, me çfarë të drejte ti, polic apo prokuror, do t’i vësh prangat? Cila gjykatë shqiptare do ta mbante nën arrest, qoftë edhe duke pasur një dënim në Itali, kur për ta justifikuar arrestin duhej një procedurë e rregullt ligjore? Italia ka përfaqësinë e vetë këtu, akuzat për atë kanë qenë publike të paktën këto 2 vitet e fundit, dhe po të ishin të interesuar e kërkonin zyrtarisht dhe ai arrestohej sipas ligjit. S’e kanë bërë, punë e tyre. Kjo nuk do të thotë që pala shqiptare të tregohet më katolik se Papa e ta mbajë nën arrest, apo më keq, ta dërgojë kolipostë në Itali, pa pasur një kërkesë zyrtare prej atij shteti.
Së dyti, nuk dihet se si u “zbulua” një diskutim i hershëm në Komisionin e Ligjeve për një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale, ku zoti Xhafaj akuzohej se kish manipuluar aktet. Dyshja e hetuesve me tipare prokurori, Alibeaj-Bardhi, kishin rrëmuar me një parandjenjë të çuditshme në arkivin e Kuvendit dhe na kishin zbuluar se Fatmir Xhafaj ka organizuar një komplot kushtetues me ndryshim aktesh, me qëllim që nëpërmjet tyre të favorizojë të vëllanë për të mos u ekstraduar në Itali. E gjitha ka të bëjë me një nen i cili sanksionon se askush shqiptar që është dënuar në mungesë, kudo qoftë jashtë shtetit, nuk mund të ekstradohet nëse ndaj tij nuk zhvillohet një proces i drejtë në prezencë të tij. Dakord, shumë bukur. Po e marr të mirëqenë se Fatmir Xhafaj ka komplotuar dhe e ka bërë me ndërgjegje këtë ndryshim në favor të të vëllait. Vetëm se ka nja tri ditë që dëgjoj në emisionet politike të mbrëmjes analistët tanë që duke cituar vendimin e gjykatave italiane të të tri shkallëve, thonë se Agron Xhafaj është përfaqësuar me avokat të zgjedhur prej tij. Kushdo që ka qoftë edhe pak kapacitet minimal juridik, e kupton se kur një i pandehur përfaqësohet në gjykim nga një avokat, ai i ka dhënë atij tagrin që të flasë në emrin e tij njësoj sikur i pandehuri të ishte vetë prezent gjatë gjykimit. Vetëm nga ky arsyetim, rezulton se gjyqi kundër Agron Xhafajt vërtetë është bërë pa prezencën e tij fizike, por jo në mungesë të përfaqësimit të plotë juridik. Kjo do të thotë se neni mbi të cilin ka “komplotuar” Fatmir Xhafaj mund të favorizojë mijëra të tjerë, por jo Agron Xhafajn e as të ngjashëm të tij.
Së treti, u inskenua një audio-përgjim me një “Bashkëpunëtor X” që ishte njëkohësisht, edhe bashkëpunëtor në krim i kriminelit të dënuar Agron, edhe bashkëpunëtor i organizatorit të padënuar Sali. Synimi ishte që të provohej, së paku me zë, që Agron Xhafaj vijon aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve, pavarësisht se është nën vorbullën e tornados së akuzave prej politikës. Nuk dua ta zgjas më tej këtë çështje për sa kohë prokuroria tashmë e ka sekuestruar materialin audio e ka nisur hetimit dhe, njëkohësisht, kemi edhe një kallëzim penal nga i akuzuari që nuk e pranon autencitetin e këtij përgjimi. Çdo hamendësim tani e tutje me teori konspirative, është i pa vlerë përderisa çështjen e kanë marrë në dorë organe kompetente.
Si për ta përmbyllur me fakte këtë shkrim, ku intriga, mashtrimi dhe shpifja po ngrihen në sistem për të rrëzuar një ministër nëpërmjet skenarësh konspirativë, më vjen në ndihmë vetë Sali Berisha i cili, në mbrëmjen e së martës në Studion e Hapur të Eni Vasilit deklaroi se: “targa e makinës Audi të Saimir Tahirit (003), ishte një targë shtetërore e policisë me të cilën lëviznin Habilajt e prandaj policia s’i ndalonte dot”!!! Për analogji, edhe unë mendoj se çdo targë me nr. 007 i përket agjentëve të shërbimit sekret, por nuk e them dot se më vjen turp ngaqë do më marrin për të luajtur mendsh. Gjithsesi, ky zhvillim është shumë domethënës, pasi kemi një element të ri që e kriminalizon rëndë Saimir Tahirin. Prandaj dëshmitari Berisha duhet thirrur nga prokurori Hajdarmataj që të japë shpjegime për aq sa ka dijeni. Tashmë kushdo është i interesuar se, si përfundoi një targë policie në një makine private të ministrit të cilën më pas e përdorën edhe trafikantët e drogës?! Se, po e trajtuam edhe këtë sikur s’ka thënë ndonjë gjë të madhe, atëherë skenarët e tipit “Bashkëpunëtori X” që s’e tregojmë pasi na e vrasin, do t’i kemi të përditshëm për çdo ministër të cilëve Berisha u ka vënë syrin për t’i rrëzuar.
Komploti kundër Fatnir Xhafajt dita ditës është duke u zbërthyer. Ajo që i kërkohet çdo shqiptari është që t’i japë mbështetje ministrit Xhafaj, me qëllim që buzëqeshjen që krimi i organizuar ka nisur të ndjejë, t’ua ngrijmë në buzë. /TemA