Shënim/ Lërini konferencat, nisni aksionin
Qeveria shqiptare që prej një jave tashmë ka deklaruar me pompozitet nisjen e luftës kundër informalitetit.
Një betejë kjo që kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si aksionin më të rëndësishëm të 300 ditëve të ardhshme.
Por çfarë po ndodh?
Deri tani ky aksion po bëhet vetëm në televizione.
Ishte kryeministri Edi Rama që deklaroi para një jave nisjen e luftës kundër informalitetit.
Pas tij ishte radha e drejtorëshës së Tatimeve, Breseida Shehaj, për të njoftuar edhe ajo nisjen e aksionit dhe për të dhënë rëndësinë që ka për mbledhjen e të ardhurave.
Pas saj ishte radha e ministrave Shkëlqim Cani dhe Arben Ahmetaj që përsëriten me disa ndryshime deklaratën e kryeministrit Rama.
Ndërsa dje ishte po sërish kryeministri Rama që deklaroi në dy konferenca nisjen e këtij aksioni sot, duke deklaruar se në terren do të ishin plot 600 grupe pune.
E kur sot pritej aksioni i tatimorëve në terren, sërish e gjithë qeveria së bashku me drejtuesut e Tatimeve ishin në konferencë, duke shpjeguar për të disatën herë rendësinë e këtij aksioni dhe për paguarjen e taksave.
E ndërsa drejtuesit e tatimeve duhet të ishin sot në terren për të kontrolluar aksionin dhe organizuar punonjësit tatimorë, ata ishin në sallë duke dëgjuar Shkëlqim Canin dhe Arben Ahmetajn.
Do të ishte mirë, që qeveria ti linte konferencat, dhe të nisë të punojë në terren./A.S