Gina Haspel dëshmon në Senat. Gina Haspel, operative e Agjencisë Qendrore të Zbulimit dhe aktualisht zëvendësdrejtore e agjencisë premtoi përpara ligjvënësve se nuk do ta ripërtërinte një program për marrjen në pyetje me metoda të ashpra të personave të ndaluar. Kjo çështje është kthyer në një pengesë të mundshme për konfirmimin e saj në postin e drejtueses së CIA-s.
Zonja Haspel dëshmoi para Komisionit të Senatit për Zbulimin në një seancë konfirmimi, e cila u përqendrua te roli i saj në zbatimin dhe ndoshta përpjekjen për ta mbajtur të fshehtë një program të agjencisë që përdorte metoda të ashpra për të marrë në pyetje personat e ndaluar.
“Mund t’ju ofroj angazhimin tim personal, qartë dhe pa rezerva, se nën udhëheqjen time, CIA nuk do të ripërtërijë një program të tillë të ndalimit dhe marrjes në pyetje,” tha zonja Haspel.
Në vitin 2002, zonja Haspel mbikqyri për një kohë të shkurtër një burg të fshehtë të CIA-s në Tajlandë, ku të paraburgosurit i nënshtroheshin teknikës së simulimit me mbytje dhe teknikave të tjera të ashpra të marrjes në pyetje, të cilat shpesh janë denoncuar si tortura.
Ajo akuzohet gjithashtu për hartimin e një dokumenti që kërkonte asgjësimin e 92 videokasetave të seancave ku ishin përdorur metoda të tilla.
Videokasetat u asgjësuan në vitin 2005, duke çuar në një hetim të Departamentit të Drejtësisë, i cili përfundoi pa akuza.CIA në mënyrë të përsëritur u është përgjigjur këtyre akuzave, duke pohuar se veprimet e zonjës Haspel ishin të ligjshme dhe duke mbrojtur rolin e saj në pozicionin që kishte në atë kohë jashtë vendit si dhe rolin në asgjësimin e videokasetave.
Agjencia madje deklasifikoi dhe publikoi një dokument të vitit 2011 të hartuar nga ish-zëvendësdrejtori i CIA-s Michael Morell, ku zonja Haspel lirohej nga përgjegjësia për ndonjë shkelje lidhur me çështjene videokasetave.Rreth dy muaj më parë, CIA nisi një fushatë thuajse të paparë në marrëdhëniet me publikun për ta ngritur zonjën Haspel në postin e kreut të agjencisë dhe ditët në vijim do të tregojnë nëse ky plan ka funksionuar ose jo.
Fillimisht, zonja Haspel kërkoi ta tërheqë emërimin e saj për këtë post, por më pas zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë biseduan me të për orë të tëra, duke e bindur që ajo të qëndronte, përgatiti Koha. (b.an)