Zyrtarizimi i kalimit të ish-deputetëve të Vetëvendosjes në Partinë Socialdemokrate ka përplasur ish-kolegët.Ish-deputeti i VV-së, Frashër Krasniqi, tani anëtar i PSD-së, ka kritikuar ish-partinë se pse po merrej vazhdimisht me ta.
Sipas tij, deklaratat se Vetëvendosje po fuqizohet dhe se PSD-ja nuk do të kalojë as pragun, janë të pavërteta.“‘Partia më e madhe që po fuqizohet’ po merret tërë kohën me ‘partinë e vogël që s’ka me e kalu pragun’.
Këtu ose supozimi i parë është i pavërtetë, ose i dyti. E me gjasë dyjat”, ka shkruar ai në Facebook.Atij i është kundërpërgjigjur Tinka Kurti, zëdhënëse e VV-së. Sipas saj, PSD me shumë veprime ka furnizuar masën me material për t’u tallur.
“Pasi të furnizojnë me material për tallje masive me secilin veprim: me logo, me hotel, me diamante, me trëndafila plastikë, ankohen ‘Po ju pse po merreni me ne’. Po sepse për fat të mirë nuk na është shuar aftësia për t’u çuditur e as ajo për të qeshur.
Njëra është element i rëndësishëm i mendimit e tjetra është thjesht e pashmangshme”, ka shkruar ajo.
Dje PSD zyrtarizoi 12 deputetët e ndarë nga Vetëvendosje dhe e shpalli kryetar Shpend Ahmetin, po ashtu ish-anëtar i VV-së, përgatiti Koha. (b.an)