Nga Altin Ketro
Nëpërmjet medieve u njohëm me pikat e një projektligji që një grup i atashuar pranë Partisë Demokratike ka shkruar në lidhje me dënimin e simboleve të komunizmit. Grupi paska muaj që e ka përgatitur këtë projektligj, gjë që nxjerr blof krye demokratin Lulzim Basha kur më 5 maj, nga Varrezat e Dëshmorëve, la të kuptohej se partia e tij do hartonte një ligj që dënon simbolet komuniste. Kjo të bën të dyshosh se incidenti midis militantëve demokratë dhe pleqve pensionistë, nostalgjikë të diktatorit Hoxha, ka qenë i paramenduar me qëllim që nëpërmjet këtij incidenti të kishte një arsye të fortë për ta paraqitur këtë projektligj.
Gjithsesi, përpos kësaj, edhe sikur incidenti të ketë qenë fare spontan, tjetër kund e kam argumentin e këtij shkrimi. Siç u shpreha në nisje, nxitjen e mora nga ato pika që ky grup kish nxjerrë në media. Meqë është ende në fillesat e saj dhe do kërkojë kohë që të dalë si produkt përfundimtar, po jap disa ndjesi që përjetova pasi i lexova ato 12 pika.
Fillimisht dua të them se më shumë se sa nismë për të miratuar një ligj të tillë, Partia Demokratike kërkon të fusë në kurth Partinë Socialiste duke e kompleksuar atë me të shkuarën e saj. Qëllimi është se sa do të jetë e gatshme PS-ja ta japë votën Pro mbi një produkt shumë problematik që PD-ja do të paraqesë. Pse e konsideroj problematik? Atëherë, për të mos u zgjatur, po shtjelloj disa prej tyre:
Së pari, PD-ja ka projektuar që Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit të marrë një rol thelbësor e të ndjekë çdo gjë që ka të bëjë me të kaluarën komuniste. Ajo që unë e shoh si problematike është se ky Institut është pothuajse njëngjyrësh dhe me mendësi të theksuar antikomuniste. Nuk kam aspak problem për këtë; ajo që më shqetëson është se duke mos pasur oponencë brenda tij, do biem në të njëjtin nivel si në komunizëm kur ekipet që shqyrtonin të kaluarën kishin edhe ata frymën “anti”, p.sh. antizogiste. Duke qenë 100 për qind “anti”, nuk do kemi një produkt realist, por thjesht një shfryrje dufi e larje hesapesh. Natyrisht, jo me marrje jetësh.
Së dyti, kërkohet të ndalohet me ligj Partia Komuniste e Shqipërisë. Dakord! Po partitë nuk marrin jetë nga emri, por nga Statuti. Ai është kushtetuta e tyre. Përderisa sot kemi disa parti komuniste, kjo do të thotë se statuti i tyre është në përputhje me Kushtetutën e Republikës dhe gjithë ligjet e tjera. Duke qenë i tillë, i bie që problemin e paskan vetëm me emrin, d.m.th me termin “Komuniste”. Këtu ka edhe një problem tjetër, sepse kjo parti, këtë emër e mbajti vetëm 7 vjet (1941-1948) dhe për 43 vite të tjera (1948-1991) u quajt Partia e Punës e Shqipërisë. Me këtë emër ajo kreu më shumë aktivitet se sa me emrin “Komuniste”. Në Shqipëri ka shumë parti të tjera që kanë si bosht komunizmin, por që nuk e kanë emrin “Komuniste”, por kanë vijuar traditën duke u quajtur “e Punës”. Për të qenë korrekt, propozuesit duhet të fusin edhe këtë emërtim në kategorinë e ndalimeve, pasi do të ishte pa kuptim nëse e shmangin partitë komuniste dhe lënë partitë e punës që janë e njëjta gjë. Vetëm se sërish del një problem, pasi nëse edhe emërtimi “e Punës” bëhet i ndaluar, atëherë çdo gjë që ka lidhje me punën duhet të konsiderohet e ndaluar, p.sh. Kodi i Punës. Kjo pasi “Puna” nuk mund të jetë kriminale kur është parti, dhe e ligjshme kur është kod. Nëse ligji e quan antiligjore një parti jo nga Statuti, por nga emri, kjo mund të përbente precedent që në të ardhmen të dilnin antiligjore edhe parti që quhen Demokratike apo Socialiste, se kështu u pëlqen politikanëve të radhës.
Së treti, kërkohet që ministria e Arsimit të rishikojë kurrikulën. Praktikisht kërkohet që t’i fshihet merita komunistëve si udhëheqës të LANÇ-it (meritë që ua njohën edhe anglo-amerikanët). Mos vallë duhet të shkruhet që luftën e bënë Balli dhe Legaliteti? Nëse pranohet që luftën e udhëhoqi PKSH-ja, padyshimtin që edhe emrat e udhëheqësve të saj duhet të jenë në librat e historisë, përndryshe jemi duke gënjyer veten dhe biem me këmbët tona në të njëjtën pozitë që ranë komunistët duke e bërë vetëm të zezë historinë përpara 29 nëntorit 1944.
Së katërti, portreti i Enverit dhe gjithë ish kupolës komuniste, ylli komunist me pesë cepa, drapri e çekani dhe himni i PPSH-së të dënohet me ligj. Bile për manifestime me këto simbole propozohet 1.8 vite burg. Këtu lindin disa pikëpyetje. Si do përcaktohet nëse ylli është komunist ose jo? Pra, kur ka konture të verdha dhe është me ngjyrë të kuqe është komunist? Meqë SHBA i ka yjet të bardhë, apo BE të verdhë, i bie që pastaj inatin ta kesh me ngjyrën e kuqe që është edhe ngjyra e flamurit tonë Kombëtar!!! Drapri e çekani është një idiotësi ta konsiderosh si simbol për të cilin duhet të bësh 1.8 vite burg. Himni i PPSH ka qenë “Internacionalja”. Nuk di që ky himn të jetë pjesë e përditshmërisë sonë. Ky është një himn ndërkombëtar i lëvizjeve të majta që besojnë në një botë të ndërkombëtarizuar. Pak a shumë në kohët e sotme kjo është arritur në një formë tjetër që quhet Globalizëm. Por, t’i japësh rëndësi kaq të madhe sa për të rrasur 1.8 vite në burg një njeri pse këndon Internacionalen, është veç shpikje shqiptare. Jam dakord që kush del me portierin e Enverit ta bëjë 1.8 vite burg, bile më shumë. Vetëm se autorët duhet të kenë parasysh edhe një situata tjetër; çdo të bëhet nëse dalin në rrugë me portrete të Enverit, Mehmetit, Hysniut, etj., 1500 komunistët që votuan për Lulzim Bashën kryetar bashkie?! Cili është përfitimi i autorëve me burgosjen e 1500 vetave dhe kostos që duhet për akomodimin dhe trajtimin e tyre në burg?! Po nëse ndër këta 1500 veta, që vendosin për sfidë të dalin në rrugë, ka grupe me 10 persona që janë një familje e vetme, do i rrasësh në burg me gjyshër, prindër, fëmijë, nuse, nipër e mbesa?! Mos vallë nga kjo situatë do krijohet një ndjenjë simpatie në popull ndaj komunistëve duke marrë raportin: 1.8 vite burg për një foto të Enverit; asnjë ditë burg për shkaktarët e Gërdecit dhe 21 janarit?!
Së pesti, kërkohet që librat apo propaganda komuniste të lejohet vetëm nëpër muze për qëllime shkencore, por jo për çështje publike. Këtu futen edhe veprat intelektuale apo artistike dhe kush i përdor ato në publik dënohet me gjobë. Në fakt, propaganda nëpërmjet gjësë së shkruar është më e fortë se sa ajo nëpërmjet një fotoje. Por nismëtarët njërën e kanë konsideruar kriminale që dënohet me burg, tjetrën administrative që dënohet me gjobë. Gjithsesi, s’ka kuptim kjo ndarje që bëhet kur nëse këto materiale shfaqen në publik janë të dënueshme, kurse kur i mban në shtëpi janë të lejueshme. Është njësoj sikur arma të lejohet ta mbash në shtëpi, por jo në rrugë. Kështu që ideatorët duhet ta kenë parasysh këtë gjë, dhe ndëshkimin ta marrin edhe ata që i posedojnë nëpër shtëpi. Personalisht kam shembullin e familjes sime kur në vitin 1981, sapo Mehmet Shehu vrau veten, nisën t’i prisnin me gërshërë gjithë albumet ku ishte portreti i tij, si dhe të zhgaravisnin me bojë emrin e tij nëpër gjithë faqet e librave ku përmendej. Propaganda më e rrezikshme komuniste është kur e mban 365 ditë të vitin literaturën komuniste në shtëpi, jo kur e nxjerr tri ditë të vitit në publik.
Së gjashti, kërkohet që të ndryshohen emrat e rrugëve, shesheve, qyteteve, shkollave, të personave që kanë lidhje me diktaturën. Kjo është subjektive, pasi emra të nomenklaturës së lartë nuk di që ka (përveç Mehmet Shehut në Mallakastër). Di që nëpër shkolla dhe rrugë janë emrat e atyre që dhanë jetën për lirinë e Atdheut, dhe nëse e kanë për këta, kjo do të ishte dhunim i gjakut të tyre dhe burim frymëzimi për dezertim për çdo shqiptar nesër, në çdo luftë eventuale kurdo që të ndodhe ajo.
Së shtati, heqjen e dekoratave dhe titujve të nderit të marra gjatë kohës së diktaturës. Me sa jam në dijeni, heqjen e dekoratave e bën gjykata. Këto dekorata janë dhënë për merita të pjesëmarrjes në luftë dhe kjo është pamohueshme. Gjithsesi, kjo është e diskutueshme. Megjithatë, nuk mund të bëhet heqje kolektive dekoratash, pa pasur një gjykim të drejtë të arsyes se përse hiqen. Dhe këtë duhet ta bëjë një proces i rregullt gjyqësor, jo një vendim politik.
Si përfundim, dua të theksoj se qëllimi im është që nëse ky projektligj materializohet në ligj, të ketë parasysh edhe problematikat që do dalin nga përmbajtja e tij. Nuk duhen bërë asnjëherë ligje me inate personale, por duke pasur parasysh të mirat e të këqijat, përfitimet dhe humbjet. Mbi të gjitha, duhet të kemi parasysh që të mos bëhemi gaz i botës, ku dikush të bëjë burg për një fotografi a simbol të diktaturës, dhe dikush tjetër të jetojë në liri edhe pse ka vjedhur miliona dhe vrarë me gjakftohtësi në demokraci. Kjo do të ishte fatale!