Nacionalistët serbë, që i kundërvihen arritjes së një marrëveshjeje për Kosovën, kërkojnë mbajtjen e një referendumi mbi këtë çështje. Qëllimi është të mblidhen 100 mijë firma, e pas kësaj kërkesa për referendumin të paraqitet në Parlament, i cili do të jetë i detyruar ta thërrase votimin popullor.
“Është e nevojshme të ushtrohet presion social dhe të parandalohet nënshkrimi i të ashtuquajturës marrëveshje ligjërisht detyruese, e cila praktikisht nënkupton heqjen dorë nga Kosova dhe Metohija”, i tha rrjetit investigativ “BIRN”, Mladen Obradoviç, njëri prej përfaqësuesve të nismës “Të ngrihemi për Kosovën”, transmeton “Shqip”.
Presidenti Aleksandar Vuçiç e ka pohuar në disa raste kohët e fundit se komuniteti ndërkombëtar kërkon një ujdi ligjore mes Beogradit dhe Prishtinës.“Nëse ne e firmosim do të marrim çdo garanci të mundshme, e ato që marrim nga Berlini janë njëkohësisht ato, të cilave u besoj më shumë”, pati deklaruar ai më 27 shkurt, pas një takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Nga sa thuhet në faqen e internetit të kësaj nisme, referendumi ka fituar që tani mbështetje nga përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, juristë, kompozitorë, profesorë, veteranë lufte, gazetarë e të tjerë. Plani është që firmat të dorëzohen brenda datës 28 qershor, përpara festës së Vidovdanit, një ditë e shënuar kjo në kalendarin serb. (b.an)