Nga Altin Ketro/
Dy furtunat në gotë që sollën këtë fundjavë demokratët, qenë një denoncim i deputetes Albana Vokshi kundrejt ministres së Arsimit, Lindita Nikolla dhe ajo e krye demokratit Basha pas një incidenti në Varrezat e Dëshmorëve me rastin e ditës përkujtimore të 5 majit.
Përse i konsideroj furtuna në gotë dhe pse kupola demokrate përmbytet në pikët e ujit që ngre vetë?!
Furtunën e parë e nisi zonja Vokshi, e cila kish bërë një zbulim të madh pasi nga një formular që ministria e Arsimit u kish shpërndarë drejtorive të shkollave, ajo kishte arritur në përfundimin se kishim të bënin me vjedhje të të dhënave personale nga …. shteti!!!
E dhëna e parë dhe më e rëndësishmja që sipas zonjës Vokshi shteti po u vidhte shtetasve të vetë, ishte karta e identitetit. Shteti është vetë prodhuesi i kësaj karte dhe ka gjithë informacionin e duhur rreth kësaj karte. Mënyra se si zonja Vokshi na e paraqiste këtë situatë të linte të kuptoje se çdo shtetas e mban kartën e identitetit të mbyllur në kasafortë dhe nuk ia jep kurrkujt të dhënat e tij. Unë di, qofsha i gabuar, që secili prej nesh i jep të dhënat e kartës, kujtdo që ia kërkon nëpër zyra e jashtë tyre: në QKB, tatime, dogana, postë, hipoteka, noteri, institucione të ndryshme tek punonjësi i shërbimit të rojës, në qendra pune shtetërore e private, bile edhe tek punëdhënës që s’kanë 2 klasë shkollë, sepse u duhet që ai t’i deklarojë online si punëmarrës, në kancelari kur shkojnë dhe i fotokopjojnë etj., etj. Atëherë, çfarë është kjo paranojë që ngre zonja Vokshi se ministria e Arsimit po u kërkon numrin ID që është në kartë prindërve të nxënësve për të krijuar një rrjet të sigurt komunikimi ndërmjet shkollës dhe prindërve?
Paranoja vijon më tej kur zonja Vokshi quan vjedhje të të dhënave personale edhe kur prindërit duhet të japin në shkollë numrin e tyre të telefonit dhe adresën e postët elektronike e-mail. O Zot na ruaj nga mend e kresë për këta politikanë që kemi! Po numrin e telefonin ne ua japim me qindra të njohurve e të panjohurve edhe për gjëra pa rëndësi, mjafton një takim i shkurtër me dikë dhe themi: “hajt t’ia kemi numrin e telefonin se mbase më duhet dikur”. Po adresën e e-mail-it, që ia nisim mijëra të panjohurve vetëm se diku të duhet të aplikosh për punë, të porosisësh diçka për të blerë apo të ndash një material pune?
Unë e kuptoj pse zonja Nikolla u tërhoq shpejt për vetë faktin se duke qenë paska e kompleksuar, nuk donte që t’i hynte një avazi me thirrje në komisionin që zonja Vokshi drejton dhe ku asaj i pëlqen jashtë mase të bëjë rolin e hetueses nëpërmjet një spektakli televiziv. Ajo që zonja Nikolla duhet të bënte ishte që, meqë kemi një opozitë paranojake, që është e djallëzuar aq shumë saqë edhe këtë nismë pozitive të ministrisë e lidh sikur këto të dhëna do përdoreshin në zgjedhje (vetëm një mendjeje diabolike i shkonte imagjinata këtu), atëherë atë kërkesën me nr ID ta bënte fakultative. Ai prind që dëshironte ta jepte vullnetarisht, le ta jepte, ai që besonte imagjinatën e zonjës Vokshi le ta refuzonte. Në fakt, kjo do të shërbente edhe si një lloj sondazhi se cilin besojnë më shumë qytetarët, shtetin apo opozitën. Zonja ministre nuk na e dha këtë mundësi që me shumë gjasë e kishte të fituar, duke iu bindur presionit të opozitës nëpërmjet pallavrave të zonjës Vokshi.
Furtuna e dytë, por që pritet të materializohet në ditët në vijim, ishte zotimi i Lulzim Bashës se do të çojë në Kuvend një nismë ligjore për ndalimin e simboleve të komunizmit. Simbole të komunizmit kanë qenë grushti, drapri e çekani dhe ylli.
Simbolin e parë, grushtin, këto vitet e fundit, e kemi parë më së shumti tek demokratët kur janë përleshur në sallën e Kuvendit. Kështu që, nëse hiqet ai simbol, është diçka pozitive sepse shmang edhe dhunën.
Simboli i dytë, drapri e çekani, që personifikojnë lidhjen e ngushtë të klasës punëtore me fshatarësinë kooperativiste, ka 28 vjet që nuk ekziston, sepse ka po kaq vite që secili nga këto dy kategori shikon punën e vet.
Simboli i tretë, ylli, është edhe më problematiku, sepse nëse ai si simbol ndalohet, na duhet të kemi probleme me flamujt e SHBA-së, BE-së dhe një sërë vendesh të tjera qe e kanë simbol në flamurin e tyre. Sepse ylli, kur ligji e parashikon si simbol të ndaluar, nuk mund të trajtohet si i keq kur personifikon komunistët dhe i mirë kur personifikon ndërkombëtarët. Ai, o është i mirë për të gjithë, o është i keq. Të mesme të artë, nuk mund të ketë.
Por, duke u nisur nga ajo çfarë ndodhi në Varrezat e Dëshmorëve, besoj se Lulzim Basha, nuk do e ketë për simbolet e mësipërme, por për fotografinë e Enver Hoxhës apo minibusteve të tij. Dakord, po ia pranojmë këtë gjë. Vetëm se kam frikë se mos na del më keq. Dihet, dhe kjo është e përbotshme, që çdo gjë e ndaluar, bëhet diçka e dëshiruar. Ndalimi me ligj i fotove dhe busteve të diktatorit Hoxha, në fakt mund të kthehet në një trend sfidues për t’i pasur ato. Me gjasë, më së shumti janë të rinjtë që i kërkojnë këto sfida, sidomos ideja e të qenit ilegalë.
Pavaresisht ndjeshmërisë që mund të përcjellë tek një pjesë e popullsisë që ka qenë e persekutuar figura e diktatorit, unë nuk e kuptoj se përse komunistët duhen faktorizuar duke i ndaluar me ligj simbolet e tyre. Vërejini me vëmendje se kur ata bëhen të dukshëm; vetëm tri herë në vit: më 5 maj në kujtim të dëshmorëve, më 16 shtator në kujtim të Konferencës së Pezës dhe më 29 nëntor në kujtim të Ditës së Çlirimit. Në të tri këto data, ata janë a s’janë më shumë se 100 syresh. Forca e komunistëve matet në zgjedhje ku përqindja që ata zënë ka zero përpara pikës.
Duke u nisur nga këto dy zhvillime, kuptohet se pse kemi një opozitë kaq mjerane, e cila nuk merret më gjëra thelbësore, por njëra i bie gozhdës duke anatemuar nisma të dobishme, e tjetri i bie patkoit duke u marrë me një grusht pleqsh, nostalgjikë të diktatorit, që më shumë i faktorizon me nismat e tij, se sa duke i lënë në harresën që vetë shoqëria i ka lënë në këto 28 vite.
Prandaj nismat e opozitës nuk kanë duk, sepse janë flluska sapuni që nuk ngjisin, duke u bërë qesharakë aq sa me të drejtë kryeministri Rama thotë se po të jetë për këta ai rri 1000 vjet në pushtet. Vetë opozita me furtunat në gotë që ngre, ia jep këtë të drejtë në atë që Rama thotë!