Ergys Mërtiri, që shfaqet herë pas here në TV si pedagog dhe sociolog, shprehet i ngazëllyer me atë që ndodhi në “Varrezat e Dëshmorëve”. Ai thotë se të rinjtë e PD-së, janë provokuar nga veteranët.
“Dhuna nuk është kurrë mjeti i duhur i reagimit në një shoqëri demokratike, por e them pa dorashka se ndjeva një lloj ngazëllimi kur pashë disaj të rinj t’iu thyenin pankartat dhe portretet e Enver Hoxhës, komunistëve dhe disa pseudoveteranëve, sot në varrezat e dëshmorëve.
Që kur Edi Rama ka ardhur në pushtet, këta matufë nostalgjikë janë ekzaltuar për një kauzë idiote duke nderuar epokën më të ndyrë të historisë së këtij vendi, atë të regjimit komunist. Manifestimet e tyre me protretet e kryekriminelit të këtij vendi në çdo ceremoni zyrtare, u bën të përhershme duke provokuar shëmtueshëm publikun.
Rama justifikohej atëherë se çdo njeri është i lirë dhe ai nuk mund të pengojë njerëzit të ekspozojnë çfarë parrulle të duan, por kur qelbi u shtua dhe reagimet e publikut u intensifikuan, ai e gjeti mënyrën sesi ti ndalojë ata, të paktën gjatë momenteve ceremoniale kur të pranishëm ishin vetë krerë të qeverisë.
Megjithatë, këto shfaqje vazhdojnë në vijimësi, menjëherë sapo qeveritarët mbarojnë homazhet e tyre, dhe portreti i diktatorit lejohet të ndotë hapësirën ku presupozohet se prehen eshtrat e atyre që dhanë jetën për këtë vend.
Indiferenca e shtetit për të ndaluar këtë perversion është indinjuese dhe e turpshme, ndaj natyrisht që nuk mund të fajësohen kurrë qytetarët që reagojnë në mënyrë spontane ndaj kësaj shëmtie, të cilën duhet ta ndalojë vetë shteti.
Reagimi i sotëm i të rinjve antikomunistë, është një reagim i detyruar dhe i dëshpëruar në kushtet kur shoqëria jonë, jo vetëm nuk i ka larë hesapet me të shkuarën e vet, por përkundrazi, ka mbetur peng i saj. Me të drejtë sot shumë njerëz janë të dëshpëruar kur shohin ish-funksionarë të atij regjimit të gëzojnë pose të rëndësishme politike, apo bijtë e tyre, të udhëheqin ende vendin në çdo fushë të jetës publike.
Për këtë arsye dora që theu sot pankartat nuk ishte thjesht një grusht ndaj portretit të Enver Hoxhës mbi duart e disa nostalgjikëve të matufepsur që u ka mbetur ora në oturakun e historisë, por një grusht ndaj shërbëtorëve të atij regjimi, që sot vazhdojnë të jenë të privilegjuar, pikërisht për shkak të shërbimeve që kanë bërë për të”, shkruan Mërtiri.
ma.me