Një person i djegur u gjet nga policia brenda një automjeti të shkrumbuar i cili rezulton të jetë me targa të Kosovës. Makina është në pronësi të personit nga Mitrovica, Xhafer Osmani, por viktima në automjet ende nuk është identifikuar për shkak se është karbonizuar. Në një komunikim me Express drejtori i Policisë së Durrësit, Alfred Çepe, tha se automjeti është me targa të Kosovës, por gjithçka më tej pritet t’i lihet në dorë hetimeve dhe ekspertizës, pasi aktualisht është i pamundur identifikimi i viktimës.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit janë duke hetuar rastin në fjalë. Autoritet shqiptare janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës, për shkak se automjeti është me targa të këtij shteti. Mbi këtë fakt, dyshimet e Policisë janë që edhe viktima të jetë shtetas i Kosovës. Por kjo mbetet të verifikohet pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore, pasi nga karbonizimi i kufomës, është e pamundur të identifikohet nëse është femër apo mashkull.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Derven të Fushë-Krujës,rreth 250 metra larg rrugës kryesore të automjeteve, ku policia në fund të një toke pa asnjë lloj objekti të ndërtuar në të, gjeti makinën e djegur dhe brenda saj u konstatua edhe trupi i pajetë. Pritet që identifikimi i tij të bëhet përmes analizave të ADN-së