Biznesmeni i njohur gjakovar që jeton dhe vepron në perendim ka vendosur të flasë për të gjitha problemet në klubin futbollistik Vëllaznimi. Ai thotë se ka mbetur i zhgënjyer me premtimet boshe të Agim Canës, i cili mori administrimin e klubit në janar të këtij viti.
Gashi i cili vuante nga një sëmundje në zemër kishte vendosur të largohet pak nga klubi gjakovar për ti besuar administrimin Agim Canës, i cili me vete solli një grup menaxhues të paaftë, gjithnjë sipas Gashit.
“Kjo çfarë po ndodh me klubin e Vëllaznimit është vërtetë shqetësuese. Për shkak të sëmundjes time në zemër më është dashur të pushojë për disa muaj, ndërkohë që klubin i’a besova Agim Canës ta menaxhojë.
Ai kishte gjithçka të gatshme, duke filluar nga stadiumi, kontoja e klubit dhe të gjitha dokumentacionet e nevojshme. Por, ai nuk qëndroi për asnjë moment prapa fjalëve të tij. Përveç që mori 55 mijë euro nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini, 10 mijë euro nga familja Xhaka, 10 mijë të tjera nga të drejtat televizive dhe disa mijra të tjerë nga të hyra e publikut nuk arsyetoi asgjë dhe për këtë duhet të jep llogari”, deklaroi fillimisht Gashi për Gazetasheshi.
Gashi më tej shtoi se Agim Cana erdhi në krye të klubit me insistimin e tij, por ai nuk solli asgjë përveç fjalëve, madje shkaku i premtimeve të parealizuara Vëllaznimi tani mbetet jashtë garave europiane edhe nëse arrinë ta fitojë Kupën e Kosovës.
“Agim Cana erdhi te Vëllaznimi me insistimin tim. Më 2 shkurt ishim dakorduar që ti kryente obligimet ndaj lojtarëve, por nuk e bëri një gjë të tillë, madje edhe duke i vonuar ato, prandaj edhe Vëllaznimi nuk mund të luan në Europë. Kam dëshmitarë për fjalët me të cilat ishim dakorduar me Canën ne Restaurant “Tiffany” në Prishtinë, por ai nuk ka sjellë asgjë përveq fjalëve”, shtoi më tej Gashi.
Kryetari i klubit gjakovar tregoi në lidhje me planet e tij për të ardhmen, derisa deklaroi se shumë shpejtë do të vije në Kosovë dhe do të zgjidh këtë çështje.“Ju tregova më lart se për shkak të sëmundjes time nuk kam mundur të jem afër klubit, por tani jam më mirë dhe shumë shpejtë do të jem në Kosovë për ta zgjidhur këtë çështje.
Për mua më me rëndësi është të shpëtojë Vëllaznimi nga rënia në Superligë se të fitojë Kupën e Kosovës. Jam ende kryetar legjitim i kubit dhe shumë shpejtë gjërat do të vijnë në vendin e duhur”, potencoi Gashi.
Ky reagim i Shkëlzen Gashit, kryetar i klubit të Vëllaznimit vjen pas shkarkimit të kryetrajnerit Arsim Gojani nga strukturat aktuale drejtuese të klubit gjakovar të udhëhequr nga Agim Cana, përgatiti Blic. (b.an)