Tatimet, policia dhe prokuroria janë vënë në ndjekje të të gjitha aseteve të Gulf, prona dhe llogari bankare. Përveç kërkimit policor për menaxherët e Gulf, autoritetet po analizojnë të gjithë dokumentacionin për të zbardhur skemën e shitjes së tollonave të naftës dhe benzinës me të cilën u mashtruan me qindra biznese dhe qytetarë të ndryshëm.
Dëmi në total është afërsisht 5 milionë euro, i ndarë mes borxhit ndaj privatëve dhe shtetit. Gulf operonte përmes ambienteve me qira dhe në këtë pikë shpresa e autoriteve është te bllokimi i llogarive.
Ndërkohë, Qeveria reagon për herë të parë për mbylljen e aktivitetit të kompanisë Gulf. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se nuk është rasti i parë që një kompani falimenton dhe se Ministria nuk ka ndonjë rol rregullator në tregtinë e karburanteve.
“Ministria ka vetëm kontrollin teknik të cilësisë dhe produkteve. Nuk është rasti i parë që ka kompani që falimentojnë, mashtrojnë dhe histori të tilla si këto. Nga kjo pikëpamje janë organet tatimore ato që po e ndjekin këtë proces. Janë organet tatimore me ecurinë e këtij procesi dhe shpresojmë që shumë shpejt përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë”, tha Gjiknuri.
Gulf nuk ishte e panjohur për qeveritarët shqiptarë. Në ceremoninë e nisjes së aktivitetit dhe ndërrimin e pronësisë të bërë pak vite më parë, ku merrnin pjesë disa ministra të kabinetit Rama, përfshirë dhe vetë ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri, ministrin e Mjedisit Lefter Koka, pasardhësin e tij Blendi Klosi dhe ish-kryetarin e Parlamentit, tashmë President, Ilir Meta.
a.ç