Rënia në pikiatë e valutave kryesore në vend ka prekur ndjeshëm kompanitë eksportuese shqiptare. Humbjet e eksportuesve për shkak të kursit të këmbimit llogariten deri në 120 milionë euro këtë vit, ndërsa eksportuesit janë dorëzuar përpara ecurisë së kursit të këmbimit.
Si forcimi i lekut po ul konkurrueshmërinë e produkteve “Made in Albania”. Cilët janë humbësit e vërtetë ndaj zhvlerësimit të monedhave?
Nga Ledina Loga
Edhe pse tendenca rënëse e euros nisi që në 2016-n, nënçmimi i fortë gjatë 2018-s duket sa ka gjetur të papërgatitur të gjithë eksportuesit. Në vitin që lamë pas, 1 euro u këmbye mesatarisht me 134 lekë, ndërsa dollari amerikan me 119 lekë. Aktualisht monedha e përbashkët po këmbehet poshtë 130 lekëve, në nivelin më të ulët të dhjetë viteve, ndërsa dollari poshtë 105 lekëve, kuotë të cilën s’e kishte prekur në pesë vitet e fundit. Forcimi i lekut ndaj dy valutave kryesore ka vënë në vështirësi të gjithë eksportuesit e produkteve, veçanërisht sektorin fason.
Për shkak të zhvlerësimit të euros në tregun vendas, Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler, që prodhon këmisha, shikon një humbje mesatare nga 5 deri në 8% të xhiros totale. Humbjet e eksportuesve në sektorin e fasonëve llogariten nga 500-600 euro në vit për person të punësuar.
Humbjet për shkak të kursit të këmbimit, Hoxha thotë se do t’i amortizojë te fitimi i kompanisë. Në këtë mënyrë, të gjithë kompanitë fason do të privohen që të kryejnë investime të mëtejshme apo të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
Kompanitë fason punojnë duke lidhur “Kontrata me Porosi”, ku caktojnë paraprakisht çmimin për porosinë e tyre. Pas përcaktimit të çmimit është e vështirë rinegocimi me porositësit. Në rast se kompanitë rrisin çmimet, ata përballen me rrezikun e humbjes së klientëve dhe uljen e volumeve tregtare.
Një mënyrë për t’u bërë ballë humbjeve nga kursi i këmbimit, por edhe për t’u mbrojtur nga ndryshimet në tregjet e mëdha, sipas zotit Hoxha, do të ishte unifikimi në rangun e ofertës, ku të gjitha kompanitë eksportuese të sektorit të bashkëpunojnë dhe të bien dakord mbi çmimet.
Humbjet janë të mëdha dhe për Skënder Pashaj, administrator i kompanisë së prodhimit të këpucëve Fital. Nëse monedha e përbashkët do të zhvlerësohen me këtë ritëm, humbjet vjetore për kompaninë përllogariten deri në 1 milion euro.
Për shkak të zhvlerësimit të euros, humbjet janë thelluar dhe për kompaninë fason të prodhimit të këpucëve Donianna, sipas administratores së saj, Donika Mici. Ajo shton se një fabrikë fason me 250 punëtorë ka një rënie të fitimeve me rreth 30%.
Eksportuesit: “Nuk kemi si të mbrohemi”
Të pyetur nga “Monitor” në lidhje me masat që kanë marrë kompanitë fason për t’u mbrojtur nga luhatjet e kursit të këmbimit dhe zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros, të gjithë u shprehën se nuk kanë asgjë në dorë.
Për shkak të natyrës së punës së tyre, ku për porositë kanë një çmim të paracaktuar në kontratë, nuk mund të bëjnë asgjë tjetër përveçse të amortizojnë humbjet te fitimet e tyre. Në kontratat e ardhshme, në rast se negociojnë rritjen e çmimeve të eksporteve, rrezikojnë që të humbasin konkurrueshmërinë e tyre ndaj vendeve të tjera të rajonit, të ulin volumet e eksportuara dhe më e keqja të humbasin klientët.
Humbjet prej zhvlerësimit, deri në 120 mln euro
Në 2017-n, sipas të dhënave të INSTAT për tregtinë e jashtme llogariten në 272 miliardë lekë. Rreth 80% e volumit janë me vendet e Europës, të cilat përdorin monedhën e përbashkët, apo rreth 218 miliardë lekë. Pjesa tjetër e eksporteve, 54 miliardë lekë, janë kryer në dollarë.Humbjet për shkak të kursit të këmbimit për eksportet në euro janë rreth 62 milionë euro për shkak të zhvlerësimit të euros dhe 49 milionë euro (apo 61 milionë dollarë) për shkak të zhvlerësimit të dollarit.
Duke marrë në konsideratë që në vitin 2018 do të ketë rritje minimale prej 10% të eksporteve (për dy muajt e parë të vitit rritja ka qenë mbi 20%), humbja totale e pritshme për shkak të kursit të këmbimit llogaritet të jetë deri në fund të vitit 120 milionë euro (Përllogaritjet janë bërë nga “Monitor”, bazuar në eksportet e pritshme 2018, duke i vlerësuar me kursin mesatar të 2017-s dhe kursin aktual të 2018-s dhe duke nxjerrë diferencën, që konsiderohet humbje nga zhvlerësimi i euros. Nëse euro dhe dollari do të vijojnë të nënçmohen më tej, siç është e pritshme për muajt e verës, humbjet do të jenë edhe më të mëdha, nëse valutat do forcohen humbja ulet).
Për shkak se zhvlerësimi i dollarit ka qenë më i lartë, humbjet prej kursit me të dyja valutat kryesore qenë thuajse në të njëjtin nivel.
Peshën kryesore të eksporteve me Eurozonën, e zënë eksportet me Italinë, të cilët përbëjnë 57% të totalit. Eksportuesit kryesorë në vendin fqinj janë fasonët, dhe humbja më e madhe për shkak të kursit të këmbimit do të reflektohet në këtë sektor. Eksportet me Italinë përllogariten në 146 miliardë lekë, apo rreth 1 miliard euro.
Shpenzimet në lek thellojnë humbjet
Humbjet thellohen më tej për të gjitha ato kompani të cilat shpenzimet i kanë në lekë. Me forcimin e valutës vendase dhe dobësimin e valutës, përveçse të ardhurat e eksportuesve janë zhvlerësuar nga 5-8%, shpenzimet janë rritur në të njëjtën masë. Zëri kryesor i kostove për të gjitha kompanitë fason në Shqipëri janë pagat e punonjësve. Aleksandër Liqezja nga kompania Madish, që prodhon të brendshme për Italianë, thotë se dëmi që po ju bëhet eksportuesve të sektorit fason është i madh.
Për të mbuluar humbjet prej kursit të shpenzimeve, ata do të bllokojnë mjetet monetare për të mbuluar shpenzimet për paga. Pagat, zëri kryesor i kostove në pasqyrat e tyre, janë në lekë. Ndërkohë kompanitë e tjera, kryesisht eksportuese të shërbimeve, si call center, kanë vendosur që pagat për fuqinë punëtore t’i mbajnë në valutën që ato kanë të ardhurat. Në këtë mënyrë, ato e kanë transferuar riskun prej kursit të këmbimit nga kompania tek punëmarrësit.
Eksportuesit në dollarë
Nënçmimi që ka pësuar dollari amerikan ka qenë më i thellë se i monedhës së përbashkët. Eksportet në dollarë përgjigjen për rreth 20% të totalit të eksporteve. Kursi mesatar i këmbimit i një dollari ishte 119 lekë në 2017-n. Aktualisht dollari po këmbehet në nivelin e 104.8 lekëve, më i ulëti në pesë vitet e fundit. Zhvlerësimi i dollarit me kursin mesatar llogaritet të jetë rreth 12%. Padyshim që nënçmimi i dollarit ka ndikuar në kompanitë që eksportojnë direkt në Shtetet e Bashkuara.
Filip Gjoka eksporton prej vitesh produkte shqiptare, kryesisht bimë mjekësore, në tregun amerikan. Ai tregon për “Monitor” se interesi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për produkte “Made in Albania” cilësore ka ardhur në rritje. Mirëpo zhvlerësimi i dollarit në vend ka sjellë humbje të konsiderueshme për eksportuesit.
Sipas zotit Gjoka, një kontejner ka një vlerë mesatare prej 80,000 dollarësh. Fillimisht ata kanë negociuar me kompanitë amerikane dhe kanë caktuar një çmim për porositë nga Shqipëria, kur niveli i këmbimit i dollarit në tregun vendas ishte 119 lekë. Aktualisht, dollari po këmbehet në kuotën e 104 lekëve, për çdo dërgesë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai ka një humbje prej 1 milionë e 200 mijë lekësh. Zhvlerësimi i dollarit përkundrejt lekut llogaritet të jetë 12%.
Për të përballuar dhe për të rikuperuar nga humbjet, ai tha se do të përpiqen që të rinegociojnë çmimet me porositësit amerikanë. Megjithatë, edhe në rast se rinegociohen çmimet, duke i rritur për të mbuluar humbjet nga kursi i këmbimit, Gjoka shtoi se do të ketë rënie të volumit që do të kërkohet nga porositësit.
Për eksportuesit e bimëve mjekësore, humbjet nga kursi i këmbimit vijnë në një moment kur sektori po lufton për të rregulluar imazhin e prishur prej futjes në treg të sherbelës jo cilësore.
Bazuar mbi të dhënat e INSTAT për eksportet e bimëve mjekësore, ato kanë pësuar një rënie në dy vitet e fundit, si në vlerë ashtu edhe në sasi. Ndërkohë që edhe çmimi mesatar për njësi, në 2016 dhe 2017-n ka qenë në ulje krahasuar me vitin 2015.
Bazuar mbi të dhënat mbi eksportet në 2017-n, eksportet e bimëve mjekësore, në sasi dhe në vlerë, ranë me rreth 40%, ndërsa çmimi mesatar ishte 327 lekë, nga mbi 400 lekë në vitet e mëparshme.
Goditje, edhe për eksportuesit e metaleve
Sipas shifrave të INSTAT, giza dhe çeliku shqiptar është grup-malli kryesor që u eksportua në Amerikë në vitin 2017, me 18 milionë dollarë, ndërsa alumini është produkti i tretë, me gati 3 milionë dollarë. Të dy këto grupe përbënin 65% të totalit të eksporteve drejt SHBA-së në vitin 2017. Vetëm për këtë grup të eksporteve humbjet nga zhvlerësimi i dollarit me 12% të mesatares së nivelit të këmbimit në 2017-n llogariten të jenë 315 milionë lekë.(monitor)