Policia e Tiranë nuk ka mundur të zbulojë asnjë detaj të ri nga mekanizmi i vrasjes së Mario Majollarit megjithëse ka vënë në pranga autorin e dyshuar.
Pas 10 ditësh arrati policia shqiptare në bashkëpunim me atë kosovare vuri në pranga autorin e dyshuar Kastriot Gjuzi. Ai u kap në kufirin e gjelbër të territorit të Kosovës dhe u deportua në Shqipëri gjatë së enjtes. Megjithse policia ka tentuar disa herë ta marrë në pyetje ai nuk ka pranuar të flasë , shkruan ‘BalkanWeb’.
Gjuzi ka dhënë vetëm gjeneralitetet e tij dhe nuk ka folur në lidhje me vrasjen apo për bashkëpunëtorin e tij, duke ‘kyçur’ kështu gojën. Nisur nga dyshimet se vrasja është kryer në bashkëpunim Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim disa persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të Gjuzit në vrasje. Identitetet e tyre nuk bëhen të ditura për shkak të sekretit hetimor, ndërkohë që ata janë persona të rrethit miqësor të 40-vjeçarit Kastriot Gjuzi./a.m.