Shefi i diplomacisë së Serbisë Ivica Daçiq ka thënë se Kosova nuk do të ekzistojë si shtet. Kosova është shteti i dytë shqiptar dhe ajo herët a vonë do të bashkohet me Shqipërinë, ndërsa ka shtuar se Beogradi dëshiron kompromis rreth zgjidhjes së këtij problemi, transmeton Koha.net.
Ai, siç përcjell “danas” ka deklaruar se në Kosovë “nuk jeton populli kosovar, por populli shqiptar. Ai është popull minoritar. Sikur ju në Bullgari që keni pasur disa minoritete derisa nuk keni shpallur se ato nuk ekzistojnë më, përkatësisht se nuk janë kategori kushtetuese. Nuk mundet minoriteti kombëtar ta shpallë shtetin në shtetin e huaj.
Ky është separatizëm artificial”, u ka thënë Daçiq pjesëmarrësve bullgarë në tribunën ”Trajnimi i liderëve politikë”, duke i porositur ata se “kjo mund t’iu ndodhë edhe juve”.
Sipas Daçiqit, Perëndimi nuk mund të konfirmojë se çështja e Kosovës është e zgjidhur, pasi, tha ai, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur shtetet si Rusia, Kina, India, Indonezia, Filipinet, Iraku, Irani, Brazili, Argjentina…
“Bashkimi Europian është rruga jonë strategjike. BE mund të jetë gjallë edhe 20 vjet dhe nuk është e thënë, ndërsa Serbia e Bullgaria do të jenë gjallë edhe 200 vjet. Nëse na thonë se nuk do t’iu lejojmë në BE nëse s’e njohim Kosovën, ne për inati nuk do ta njohim”, ka thënë ndër të tjera Daçiq, përgatiti Koha. (b.an)