Nga Bedri Islami
Tani është e qartë gjithçka: Shqipëria , më së fundi, rishtas, merr rekomandimin e Komisionit Europian për të filluar negociatat, ndoshta më të rëndësishme në jetën e saj politike e jo vetëm politike. për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.
Se si kanë rrjedhur ngjarjet deri tani këtë e dimë të gjithë: përplasje mendimesh e jo vetëm mendimesh; greva të lajmëruara dhe të pa lajmëruara, një çadër e madhe në mesin e Bulevardit, ku kishin vrarë 5 vite më parë – nuk thonë kot se vrasësi kthehet në vendin e krimit – ; një pjesë e qeverisë së shkuar që i shkelte syrin opozitës dhe i vinte nënkëmbësën shumicës; qeveri në dy duar, por që secila i hidhte topin e fajit dorës tjetër; lobime e antilobime, përpjekje për bojkot të zgjedhjeve parlamentare dhe një marrëveshje që ende është në eter; ndarje e përkohshme pushteti për të shuar grindjet,por që disa i bëritë pasur në pak kohë; takime e mbitakime, deklarata e përleshje në parlament, luftë për një kryeprokuror që në fund e braktisën të gjithë – ndoshta vetëm ish qendra e punës së tij, jo; dhe në fund, erdhi rekomandimi.
Tani, prej disa orësh, të gjithë, të majtë, gjysëm të majtë, të djtahtë, tej të djathtë, po rrahin gjoksin se e kujt është merita.
Në secilin kamp rrihet drejt vetes dhe askujt nuk i shkon mendja se edhe ata përballë, në mos për të mirë, kanë luajtur rol, kundër dëshirës së tyre, me të keqen që shfaqën.
A është vërtet e gëzuar opozita apo pas gëzimit të shfaqur ka një hile të vjetër?
A di opozita më shumë se sa shumica qeverisëse, që, edhe në këtë përplasje gëzimesh, bën rolin e Kasandrës dhe paralajmëron se loja nuk ka mbaruar dhe se gjithçka mund të kthehet në fillimin e gjërave?
Përse udhëtoi Basha drejt shtetit gjerman dhe a është e vërtetë se politika gjermane do të jetë kaq e mbyllur ndaj shtetit shqiptar, sa është këmbëgulës në mohimin e tij një parlamentar i njohur tek ne, më shumë si mik i Bashës, Krichbauer?
Çfarë i solli në ngazëllimin e fshehur ky udhëtim Bashës dhe përse takimi i tij me njërën ndër drejtueset e larta të Europës do të jetë i tejkaluar?
Përse Edi Rama, shefi i qeverisë, nuk bëhet aq merak për votën gjermane, por mendon se diku tjetër do të jetë pengesa?
A është kjo pengesë reale, e qenësishme apo e nxitur nga një pjesë e opozitës, e cila ka lidhje të fuqishme me presidentin e këtij vendi, me të cilin dikur na lidhnin fije të largëta?
Në fund të fundit, cila është shpresa e opozitës për të kthyer gjithçka përmbys? Nën cilin emër është kjo shpresë?
Shpresa e opozitës quhet Viktor Mihaly Orban. Hungarezi i rizgjedhur ditët e fundit në postin e tij presidencial. Njeriu që duke u futur në Europë u bë antieuropian. Antisoros që dikur ishte i afërt me Soros.
Pas fitores së tij, miku i afërt dhe ëndëruesi për të qenë si ai, Berisha, do të deklaronte se fitorja e Orban është frymëzuese për miqtë e tij në Shqipëri.
Opozita shqupase u gëzua për këtë fitore atyre ditëve dhe pak nga ne e kuptuam pse ishte ky gëzim kaq i madh, ndoshta edhe më i hareshëm se tek vetë partia e Orban.
Të ishte vetëm pasqyra se si mund të fitoheshin një palë zgjedhje duke qenë antisorosian?
Burime shumë të besueshme të institucioneve europiane kanë mendimin, disa edhe bindjen, se pengesa kryesore e rrugës europiane të Shqipërisë nuk do të jetë shteti grek, ku do të ketë lëshime e tërheqje, as Spanja me problemet e saj , por do të jetë pikërisht Hungaria e drejtuar nga miku i afërt i Berishës dhe ëndrra e tij politike, Viktor Orban.
Këto burime, kanë drojën e refuzimit pikërisht tek njeriu që u shfaq në kohët e fundit si problemi i pazgjedhur europian, por që ka lidhje të mjaftueshme me opozitën e sotme për të rikthyer edhe një herën në pikën e fillimit.
Po ashtu, këto burime konfirmojnë se struktura të veçanta europiane, ndoshta edhe përtej, do të kenë takime serioze me njeriun e dorës së fortë hungareze, për të sheshuar rrugën dhe nisur një periudhë e re në jetën e shtetit shqiptar.
Do të jetë e gjitha një ankth, apo pas përplasjeve të natyrshme, gjërat do të nisin nga e mbara?
Disa javë të rënda janë para institucioneve shqiptare.