Bedri Islami
Sot, e martë, 10 prill, do të ketë bllokime të rrugëve, edhe njëherë, nga opozita, tashmë e njësuar.
Si edhe më parë, do të bllokohen disa akse dhe aty nëpër to do të shpërndahen disa deputetë opozitarë, drejtues partish, militantë dhe mitingashë.
Do të qëndrojnë dy orë a më shumë në mesin e rrugëve dhe kolonat nuk do të lëvizin, duke pritur deri sa të mbarojë qejfi i opozitës për të vënë prapanicën në asfalt, gjë që nuk e kanë bërë kurrë për hallet e të tjerëve dhe as nuk do e kishin bërë nëse nuk u preket pikërisht ajo që do të vënë në asfalt.
Është jo pak e besueshme: sa më shumë që Europa mendon se jemi afër saj, aq më tepër opozita egërsohet.
Sa herë që vendi shket drejt një qetësie të domosdoshme, aq më tepër kërkohet një shkak lufte për të risjell harbimin dhe shkatërrimin.
Viti 1997 risillet si shembull, sa herë që opozita dhe “liderët” e saj të sotëm mendojnë se përmes saj do të risillet frika , ankthi dhe tmerri, dhe, përmes tre kalorësve apokaliptikë, ata do të mund të rivijnë në pushtet.
Thirrjet haluçinante të Flamur Nokës për këtë vit-mjerim, nuk janë thjeshtë mendja e tij, nuk besoj se ia rrok kaq thellë, por thelbi i asaj që është në agjendën politike të vetë forcës që e ka nxjerrë atë në radhë të parë, si bëhej në lashtësi në rrethimet e kështjellave, kur nxirrnin para vetes ata “deshërit” sulmues.
E ndërtuar si një politikë e tillë, ku çdo shkatërrim sjell një fitore nga vetja, opozita, megjithëse e bashkuar, deri në një njësim, duke e bërë të vetën idenë e përmbysjes përmes dhunës, nuk di të vërtetën e thjeshtë se, jo vetëm nuk është viti 1991 e aq më pak viti 1997, por e bëjnë jetike për shqiptarët të afrohen drejt Ramës, si alternativa që u bën më pak dhimbje dhe që ka më shumë arsye.
Berisha është ndoshta i vetmi kryeministër në botë që, pasi ka tentuar të eliminojë shefin e opozitës fizikisht, duke ndjerë mungesën e kësaj vrasjeje, disa vite më pas do të shfaqë një egërsi të pashoqe njerëzore, duke vënë në duart e tij snajperin për të realizuar ëndrrën e vjetër, e cila, mes të tjerave, i la në sirtar edhe fjalimin mortor në varrimin e kreut opozitar, fjalim i cili, si e ripërsërit mizorisht, do të ishte më i bukuri i botës.
Njeriu që përgatiste njëkohësisht, edhe vrasjen, edhe fjalimin mortor, dhe që, sot, kërkon rikthimin në pushtet, ose është i bindur se kujtesa e popullit është afatshkurtër, ose nuk e di se koha e tij ka mbaruar, ose, në fund fare, duke pasur parasysh rikthimin e tij në pushtet në vitin 2005 dhe harresën e asaj që kishte bërë, vazhdon të dijë se një pjesë e asaj që e quan sovran kur ia do nevoja, është ende leshko në politikë.
Por, në fund të fundit, bllokimi i rrugës lidhet pikërisht me këtë koncept politik; me idenë e përmbysjes përmes dhunës kur je në opozitë dhe, me eliminimin fizik kur je në pushtet. Asnjërit në radhët e opozitës, për fat të keq as integristëve të opozitës, nuk ia ndjen se njerëzit e kundërshtojnë të keqen e dhunës dhe se ata mitingashë që marrin përsipër shkatërrimin nuk janë më në radhët e përmbysjes së një diktature, por kërkues të domosdoshëm të opozitës për të vendosur mbi të drejtën e zgjedhjes, përmes votës, në përmbysjen dhe riardhjen në pushtet përmes dhunës.
Mburrja e Nard Ndokës që kishte qenë pjesë e demonstratave të prillit 1991 në Shkodër, dhe për këtë nuk trembet, ndoshta e thënë edhe nga kapaciteti i tij politik dhe, sjellja si shembull e kësaj përplasjeje, që tregon dhunën, vrasjet… të cilat askush nuk e di se nga erdhën, por, sipas komisionit parlamentar të drejtuar nga PD-ja, kurrë nga Policia e Shtetit, djegiet e para të institucioneve, fillimin e ndërtimit të një veprimtarie ku do të ishte e pranishme edhe agjentura serbo-malazeze, në fakt, vetëm TV i Malit të Zi filmoi 2 prillin 1991; dhe, gjithë ajo që erdhi më pas është konceptimi që i ka bërë politikës opozita gjithnjë. E dyfishuar në numër, ardhja e re po shfaqet po aq radikale, ajo ripërsërit një skenar, i cili ka në thelbin e saj komedinë politike.
Nuk e di nëse është trim apo i frikësuar Edi Rama. Askush deri tani nuk e ka bërë provë se cili karakter qëndron pas fjalëve të tij. Kam parë në jetë burra që rrihnin gjoksin për qëndresë dhe kur vinte puna ia mbathnin të parët, ashtu si kam parë të tjerë që ishte e vështirë të besoje në forcën e tyre dhe në një moment dëshmonin mrekulli qëndrese.
Edi Rama, shefi i qeverisë ende nuk e ka pasur provën e tij të qëndresës dhe nuk do ta ketë. Të paktën, jo me këtë opozitë, që për vete është e përmjerur. Nëse vetingu do të kishte filluar nga politika, ndoshta do të ishte më mirë, por shumë prej këtyre që sot do të venë prapanicën në asfalt do të ishin duke e vënë pas një tjetri mjedis.
Kur sheh Bashën që ulet “këmbëkryq” me fshatarët e njerëzit e halleve në mesin e rrugës, askush nuk mendon se ky lider është një tribun i popullit, por një kafe surrogato e politikës sonë, i cili, sikur të kishte tre duar, me njërën ka vjedhur qindra milionë euro, me tjetrën ka shitur pjesë të atdheut, dhe, me të tretën ka lëvizur gishtin duke nënshkruar vrasjet e 21 janarit.
I ulur në tokë, si dikur Enveri, në fakt ai është kopja e përqeshur e tjetrit, i cili nuk ulej për mesinitet apo budallallëqe të këtij niveli dhe nuk i nxirrte kush gjuhën sa po kthente shpinën, Basha përpiqet të ulë nivelin e qëndrimit të tij sa më pranë njerëzve, të cilët, kur i ka pasur në dorë, më së shumti veriorët, i ka vjedhur qetësisht, duke buzëqeshur.
Përplasja e tashmë bllokuese, duke nxjerrë para vetes figura të tej konsumuara politikisht, në të vërtetë as nuk do të duhej të ishin njerëz të politikës, risjell në vëmendje pikërisht atë çfarë u ishte ofruar më parë shqiptarëve: portretin e një qeverisjeje, jo vetëm mediokre, por edhe thellësisht të korruptuar, deri në skaj, tejsisht hajdute e klasit të lartë, e pangopur, mizore dhe tinëzare, deri në bizantinizëm politik dhe që, edhe në kushtet e një zhgënjimi që mund të jetë nga qeveria e tashme, e ka më të lehtë të ribesojë gjithë tepsinë e pushtetit në një dorë, se sa t6a hedhë edhe një herë në greminë bashkë me veten.
Do të ishin dakord të sillnin në ndihmë, jo vetëm banorët e Kukësit, që u qetësuan, por edhe dreqin e të birin, dhe e kanë thirrur sa herë që u është dashur, për të përmbysur një qeveri dhe për të qenë përsëri ata e vetmja qeveri e këtij vendi.
E gjendur në një kaos mendimi e perceptimi politik, ku i pari i tyre de jure është edhe shkatërruesi më i madh i shpresës së tyre; në mesin e një tymnaje politike të paparë asnjëherë, ku asnjëri nuk është i sigurt për një të nesërme, pa nocion dhe pa vizion se çfarë duhet bërë, opozita është e gatshme të përqafojë çdo kauzë që i vjen në rendin e ditës, edhe pse për të nuk kishte menduar asnjëherë.
Nuk kishte menduar asnjëherë opozita se një ditë qeveria do të vendoste një tarifë kalimi nëpër Rrugën e Kombit prej 5 eurove, ende pa e pasur vetë të qartë se çfarë reagimi do të kishte. Disa banorë të zonave veriore protestuan. Opozita rrahu duart dhe e gjeti kauzën e saj, të cilën as që e kishte menduar një javë më parë. Kështu me teatrin Kombëtar, nesër me një protestë naftëtarësh, me fermerë dhe tregtarë të vegjël; por asnjërën nuk e parapriu vetë, nuk e ngriti si çështje të saj, si një domosdoshmëri pas së cilës për të thirrur njerëzit.
Në fakt, njerëzit e thërrasin opozitën pa dashjen e tyre. Por ata e thërrasin për hallin e vet, nuk e thërrasin për të ardhur në pushtet. Ata do të jenë në përgjim deri sa të mbarojë halli që kanë e, pastaj, nëse halli u zgjidhet, ata shkojnë në shtëpitë e tyre.
E opozita? Në pritje të një kauze të dhuruar, për të bllokuar, sepse ende mendojnë se bllokimi është vizion, është kauzë, është perspektivë pushteti.
Të mbetur përgjysmë në një godinë të grabitur, ku ardhjet e reja janë mediokre dhe të vjetrit janë në minorancë, ku besimi është minimal dhe asgjë nuk është shpresë, opozita ka gjetur rrugën e saj të vetme: të vendosë në asfalt prapanicën e saj duke menduar se , kur ajo të ngrohet, do të jetë mirë gjithë Shqipëria.
a.ç