E njëjta gjë ndodhi edhe në rreth-rrotullimin e Milotit, ku të udhëhequr nga deputetët Flamur Noka dhe Bardh Spahia, protestuesit që kishin zaptuar rrugën patën edhe një përplasje me disa përfaqësues të policisë.
Ndërkohë Monika Kryemadhi nga Pogradeci radhiti kauzat sociale të mosbindjes civile: që nga heqja e taksës për rrugën e kombit e deri të ulja e tarifës së ujit të pijshëm.
Mirëpo të gjitha këto kauza në dukje qytetare dhe me motive sociale të udhëhequra nga elita politike opozitare, binin në kontradiktë të fortë me një Mercedes luksoz G Class, që u shfaq në Milot në praninë e deputetit Flamur Noka dhe që shpërndante ujë për protestuesit “hallexhinj” të cilëve po u qante hallin politika.
Vetë Noka shihet duke komanduar veturën e shtrenjtë që afrohet dhe më pas hap derën e automjetit në fjalë për të shpërndarë “ndihmat”. Në një moment të caktuar Noka fton operatorin e një televizioni q ëtë mos filmojë.
Flamur Noka duke shpërndarë ndihma në Milot me Mercedesin luksoz G-Class
Fuoristrada në fjalë nis nga çmime minimale prej 125 mijë dollarësh dhe modelet e saj nëpër botë janë të limituara në prodhim.
Politikani i pasur me veturë të shtrenjtë që udhëheq protestën me kauza sociale të qytetarëve të varfër, ishte ky kontrasti më evident që binte në sy nga dhënia e “lëmoshës” së sotme. /laxo.al
Modeli Mercedes G Class, që në versionet e reja nis nga 123.600 USD./Shqiptarja.com