Rasti më flagrant është ai i superoperacionit të prillit të vitit 2017, ku u zbuluan 10 tonë kanabis në Itali, e cila kishte kaluar nga Porti i Durrësit. Operacioni vijoi edhe në Shqipëri, ku u arrestuan 18 policë dhe doganierë, si në Durrës, Tiranë ashtu edhe në Qafë-Thanë.
Droga kalonte me kamionë nga Lindja e Shqipërisë drejt Portit të Durrësit dhe më pas në Itali. Por, kur ka kaluar rreth një vit nga operacioni, duket se hetimet kanë mbetur në vend. Disa ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencë për rastin, në bazë të vendimit unifikues të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke e kaluar çështjen në Prokurorinë e Durrësit. Kjo pasi, nga hetimet rezultoi që punonjësit e doganave dhe oficerët e Policisë të arrestuar, nuk kishin të bënin me grupin e strukturuar kriminal që kryente trafikun e drogës. Ata u akuzuan vetëm për “shpërdorim detyre”.
Mirëpo, një javë pasi Prokuroria e Durrësit mori çështjen, vendosi ta kalojë edhe një herë te Krimet e Rënda, pasi sipas saj, ka elementë të grupit të strukturuar kriminal. Këto “shëtitje” të dosjeve hetimore, sa nga Krimet e Rënda dhe sa nga Prokuroritë e Rretheve, rrezikojnë hetimet.
Vonesat në to do të thotë rrezik për tejkalim të afateve hetimore. Tashmë, pritet që dosja të hetohet sërish në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por ende nuk janë identifikuar organizatorët e trafikut të drogës me maune.
Po ky nuk është i vetmi rast. Përmendim këtu edhe sasinë prej 613 kg kokainë të sekuestruar në Maminas të Durrësit, më 28 shkurt të këtij viti. Për drogën, janë arrestuar vetëm shoferi i kamionit dhe menaxheri i firmës që kishte porositur kontenierin me banane ku ishte fshehur droga.
Nga ana tjetër, pronari i firmës është në kërkim ndërkombëtar. Por edhe në këtë rast, duke qenë se mungonte akuza e grupit të strukturuar kriminal, dosja është kaluar në Prokurorinë e Durrësit. Si këto ka edhe dosje të tjera, ku burimet thonë se bëhet fjalë për rreth 40 çështje që janë shpërndarë, nga Krimet e Rënda në Prokuroritë dhe Gjykatat e Rrethit.
OPERACIONI
Në operacionin e 16 prillit 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë arrestuan 18 zyrtarë policie dhe doganash, që akuzoheshin se ishin të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal. Nga këta, 10 ishin punonjës policie në Portin e Durrësit, përfshirë edhe ishshefin e stacionit policor. Gjithashtu, u arrestuan edhe 8 doganierë të Durrësit, Qafë- Thanës dhe Tiranës.
Ata akuzoheshin se në bashkëpunim kishin bërë të mundur kalimin e një sasie prej 10 tonësh kanabis, të ndarë në dy ngarkesa. Njëra me peshë totale 7.8 dhe tjetra me peshë totale 2.2 tonë. Episodet e trafikut, sipas Prokurorisë, kishin ndodhur më 5 shkurt 2017 dhe 24 mars 2017. Rasti i parë, ishte i një kamioni me 7.8 tonë drogë, i cili kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia përmes Qafë-Thanës dhe më pas ka dalë nga Porti i Durrësit duke kaluar në Itali. Ndërsa rasti i dytë, me 2.2 tonë e ka pikënisjen nga Tirana dhe kamioni u ndalua në Itali, ku nga dokumentacionet rezultoi se kishte kaluar nga Porti i Durrësit. panorama
ma.me