Nga Mira Kazhani
Kush e dëgjoi dje, teksa bënte thirrje për mosbindje civile, nuk ka sesi të mos kujtojë thirrjet e vjetshme të Lulzim Bashës, kur ishte në çadër, për shpim gomash, thyerje xhamash, kalim mbi trupin e tij, sepse Edi Rama dhe yjet e tij ishin fikur, duheshin fikur, shporrur, rrëzuar, sepse alternativë tjetër për të majtët nuk kishte.
Ishte koha kur shihte nga dritarja e Ilir Metës, por nuk i ra mandolinës gjatë se punët precipituan dhe Meta u bë president, ndërsa Luli shok me Edi Ramën.
Në darkën e 18 majit me Ramën, dolën të dy, si Luli me Edin, në emër të Shqipërisë, kuptohet.
Edhe betimet në emër të popullit, edhe përbetimet në emër të trupit u fshinë përnjëherë.
Sot, pas një viti, Bashës i rri aq shumë ajo shprehja britanike “New day, same sh…”.
Jam e bindur se Edi Rama ka gabuar siç vetëm ai di, në llogaritjen e dëmit që do t’i sillte vendosja e një tarife aq të lartë në Kukës.
Madje, nuk e di, por besoj se do jetë duke plasur nga inati që as drejtoritë, as ministritë që i dha vjet Bashës para zgjedhjeve, nuk garantuan suksesin e pikës bazë të marrëveshjes politike: të punonte bashkë me Bashën për të ardhmen europiane të vendit.
Lulzim Basha nuk zhgënjen më askënd.
Në 2016-ën u premtoi kuksianëve se do niste aksionin për të ndalur me çdo kusht hyrjen në fuqi të pagesës së koncensionarit në Kukës.
E harroi sa e tha dhe u kujtua vetëm kur dielli i pranverës, të shtunën, në Kukës, i evokoi pranverën e vjetshme në çadër.
Është gati, si asnjë qenie tjetër, të përsëritë të njëjtat fjalë e të premtojë veresie çdo pranverë të njëjtat gjëra. Para e kemi 18 majin. Ku i dihet!
Pse të ketë vetëm Nëntor të dytë? Mund të jetë duke u përgatitur filmi “Maji i dytë”! (Tiranapost.al)