Ish lideri i Katalonjës, Carles Puigdemont i kërkoi mbështetësve të mos heqin dorë nga beteja e tyre, ndërsa ai përballet me ekstradimin nga Gjermania për rolin në referendumin e Pavarësisë së rajonit.
I kërkuar në Spanjë për rebelim dhe mosbindje ndaj shteti, Puigdemont foli për herë të parë që prej ndalimit mbi bazën e një mandati arresti, përmes një mesazhi audio të regjistruar nga Diether Dehm, një parlamentar gjerman i partisë së majtë Due Linke.
Ky i fundit e vizitoi ish-lideri ne qelinë e burgut në qytetin e verior të Neumunster. Puigdemont u tha mbështetësve të tij se Spanja po vepronte ne një mënyrë gjithnjë e më autoritare.
“Mesazhi im është se nuk duhet të ndalemi, duhet të ndjekim rrugën që kemi nisur dhe të mbrojmë të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen tonë’, ishin fjalët e Puigdemont.
Mbështetësit e pavarësisë së Katalonjës marshuan në Berlin për të kërkuar lirimin e tij. Gjykatësit gjermanë kanë 60 ditë kohë për të vendosur nëse do ta dorëzojnë tek autoritetet spanjolle. Puigdemont ka jetuar në ekzil në Belgjikë që kur Parlamenti i Katalonjës shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë e rajonit, ne muajin tetor.
Në Spanjë akuzohet edhe për keqpërdorim të fondeve publike lidhur me referendumit e shpallur të paligjshëm nga qeveria federale. Ai gjendej në një vizitë në Finlande kur u rilëshua mandati i arrestit në emër të tij.
Arriti të largohej nga vendi para se autoritetet ta arrestonin, por u kap të dielën në Gjermani. Akuzat me të cilat përballet në Spanjë mund të rezultojnë në 30 vite burg./a.m.