Kompanitë me kapital të huaj që veprojnë në Shqipëri kanë dërguar gjatë vitit 2017 rreth 291 milionë euro tek mëmat jashtë në formën e transferimit të fitimeve dhe pagesave të interesave për huatë që mund të kenë marrë tek mëmat.
Shifrat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë në bilancin e pagesave.
Në krahasim me vitin e mëparshëm, transferimi i fitimeve është rritur me 35%.
Ky është niveli më i lartë i këtij treguesi, i arritur që nga viti 2010, raporton Monitor.
Për periudhën 2008-2010, fitimet e transferuara nga sipërmarrjet e huaja arriti në nivele rekord, që kulmoi në 2009-n, me 402 milionë euro.
Kjo ishte një periudhë e artë për dy kompanitë e telefonisë celulare, të cilët në kushtet e një oligopoli u gëzoheshin normave të larta të kthimit në rreth 50%.
Në vitin 2009, AMC (sot Telecom Albania) kishte fitime rreth 90 milionë euro, ndërsa Vodafone 35 milionë euro, sipas të dhënave nga bilancet.
Kërkesa e lartë për euro për qëllim të transferimit të fitimeve nga këta operatorë, ishte dhe arsyeja kryesore e forcimit të euros, që kërceu nga 123 lekë në vitin 2008, në rreth 132 lek në 2009-n dhe 138 lekë në 2010-n e më pas arriti në 140 lekë deri në 2015-n.
Më pas, me hyrjen e operatorëve të tjerë në treg, konkurrenca u rrit dhe fitimet e telekomunikacioneve ranë. Në vitin 2013, transferimi i fitimeve arriti në nivelin më të ulët prej 78 milionë eurosh. Ndikim në këtë rënie, krahas operatorëve celularë dhanë edhe bankat, të cilat panë tkurrje të fitimeve si rrjedhojë e rritjes së kredive me probleme, çka i detyroi bankat të hiqnin mënjanë shpenzime për provigjionime në kurriz të fitimeve.
Më pas ato shënuan një zgjerim graduale, ndërsa 2017-a shënoi një rritje të fortë të transferimit të fitimeve jashtë. Ndërsa telekomunikacionet nuk janë më aq fitimprurëse, bankat kanë përmirësuar rezultatin në 2016-2017.
Një tjetër kategori që kanë filluar të gjenerojnë fitime relativisht të larta janë dhe koncesionarët, ku aeroporti i Rinasit, p.sh deklaroi një normë fitimi prej rreth 44% në vitin 2016, apo rreth 18 milionë euro fitime. Aleat është një tjetër koncesionar me normë fitimi gati 40% (8 milionë euro fitime).
Nga renditja e 10 sipërmarrjeve me fitimeve më të larta në vitin 2016, katër prej tyre ishin me kapital të huaj (BKT, Intesa, Tirana Inernational Airport, Spiecapag Albania).
Ndonëse transferimi i fitimeve në vitin 2017 ishte në nivelin më të lartë që nga 2013-a, kërkesa më e lartë e kompanive të huaja për valutë nuk ka ndikuar në forcimin e euros, ashtu siç ndodhte vitet e kaluara, duke qenë një tregues indirekt që oferta e saj është aq e lartë në tregun vendas, saqë nuk preket aq nga transaksioneve të mëdha blerjeje, që dikur e çuan monedhën e përbashkët nga 132 në 140 lekë. Përkundrazi, gjatë vitit 2017, euro u këmbye mesatarisht me 134 lekë, niveli më i ulët që nga viti 2009!/a.m.