Nga Bedri Islami
Partia Demokratike asnjëherë nuk ka qenë në këtë derexhe.
E shkallmuar nga brenda dhe e shkatërruar nga jashtë.
Me nivelin më të paktë të besimit dhe me figura politike të së djeshmes dhe të sotmes, të cilët, janë të gatshëm, jo vetëm të përjashtojnë njëri-tjetrin, si dhe ka ndodhur, por të ia nxjerrin sytë në momentin më të parë të mundshëm.
Rreshtimi politik as që ekziston. Klane në vend të ideve dhe grupe matrapazësh politikë, të cilët, edhe sot e kësaj dite, nuk mund të gjejnë qetësi.
Shkapërderdhja duket e pambarimtë dhe, në fundin e tunelit, për deri sa nuk ka asnjë dritë të re, kanë filluar të thërrasin në ndihmë një llambë vajguri të vjetër.
Berisha.
Në emrin e tij mbështeten të gjithë: edhe të ardhurit rishtas, që duke kaluar mbi të gjithë trupëzimin e statutit të ndërtuar nga vetë ata, kërkojnë vazhdimin e tributit Basha, si një i thirrur në skenë nga Berisha dhe i besuari i tij; edhe të larguarit, apo brezi i vjetër, të cilët, duke mos gjetur rrugë tjetër për të hedhur poshtë pinjollin rishtar, thërrasin në ndihmë përsëri emrin e Berishës.
Të dyja palët i referohen një emri, por në qëllime të ndryshme. Një palë për të qëndruar aty, ku i kanë vendosur, të tjerët për të përmbysur.
Ka disa ditë që në PD ka një zhvillim të ri, që rritet vazhdimisht. Ndoshta jo rastësisht ai po bëhet i përshkallëzuar, për të mbajtur ndezur një fitil që nuk dihet se kur do të shpërthejë.
Zhvillimi lidhet me grupin e të vjetërve, që po sulmojnë Bashën, shumë më tepër se në ditët që u larguan prej tij, më saktë, u dëbuan prej tij.
Përveç Patozit dhe Bregut, që kanë qenë konstant, tashmë është ringjallur edhe Topalli, e njohur për agresivitetin e saj ndaj Bashës, Imami, Bode, por dhe Berisha vetë, nëpërmjet një shkrimi të Agim Xhafkës kishte dhënë sinjale pakënaqësie.
Vështirë të besohet se informacioni i afruar nga gazetari Xhafka dhe, pa i përgënjeshtruar nga zyra Berisha, ku, gjeje më shumë njerëz se sa në të gjithë oborrin e Shqup-it, të jetë bërë rastësisht dhe i hedhur ashtu, nga dëshira e një gazetari për hedhjen e një lajmi jo të zakonshëm.
I gjithë informacioni i afruar të sillte vetëm idenë se qendra e vërtetë e opozitës nuk ishte selia e grabitur pak para ikjes nga pushteti, por kjo zyrë, jo edhe aq e madhe, përmes së cilës lëvizin të gjithë damarët e një lëvizje politike, e cila, vërtet po asfiksohet, por që mund të ringrihet vetëm nëse zyra në një kat të lartë shpërngulet edhe një herë në selinë blu, dikur e gjelbër.
Figura të tjera pëdëiste i janë rikthyer gjithë vrull idesë së kthimit të Berishës në drejtimin e partisë së tyre, por, herë pas here, ndonjëri ka lënë edhe rezervën që, idetë dhe lëvizjet berishiste mund të kthehen jo më nga ai, por nga një figurë që përmban thelbin e politikës së tij. Cili mund të jetë ai?
A do të kthehet Berisha rishtas në krye të PD-së?
Me siguri, jo. Imazhi i tij, edhe nëse brenda një grupimi ekziston, është në një rënie të vazhdueshme në strukturat ndërkombëtare. Ai është dhe do të mbetet i larguari pa kthim.
Por, duhet thënë, e gjithë kjo lëvizje Antibashë rrjedh pikërisht nga katet e larta ku ai zotëron.
Disa vite më parë ai bëri zgjedhjen në mes Bashës dhe Olldashit, duke marrë në krahë të parin dhe duke vënë nën këmbë të dytin.
Basha ishte njeriu i tij i preferuar, pasi ishte i preferuari i familjes. Ai ishte njeriu i afërt i së bijës, sa që u quajt edhe “dhëndri” i tij i dytë, por tashmë si një dhëndër politik. Afërsia me bijën e Berishës e bëri atë të besuar, hipokrit të shkallës më të lartë të mundshme, përfitues pa asnjë droje, pasi çadra e pushtetit ishte mbi të, dhe së fundi, i dha edhe dorën për të pastruar partinë nga ata që nesër mund të pengonin një rrugë tjetër.
Ndoshta rrugën e Dhëndrit të Parë, atë të natyrshëm, që është shumë e mundshme të kurorëzohet si shefi i partisë së vjehrrit të tij.
Kur kjo ndodhi me të “dytin”, përse të mos ndodhë edhe me të parin.
Berisha, në fakt, ka ëndërruar gjithnjë që lideri i partisë të ishte bija e tij, Argita. Jo rastësisht, pikërisht kur vlonte çështja e pasuesit të Berishës, një gazetar i njohur hodhi idenë e vazhdimit në postin e liderit të opozitës së bijës së Berishës, Argitës.
Duke qenë shumë më e mençur se i vëllai, agresive, në lidhje me të gjitha grupimet brenda e jashtë forcës politike të babait të saj, e pakonsumuar politikisht, e rrahur me vaj e me uthull në politikën nënkëmbësore, vendosëse shpesh herë në afirmimet e të atit, ajo mund të ishte figura përmbledhëse e gjithë një rryme, e cila mund të kishte bërë heshtjen e gjithë rrymave.
Kjo nuk do të kishte ndodhur për herë të parë në. Ka mjaft shembuj rreth e rrotull. Berisha e ka dashur gjithnjë përvojën greke të kalimit të partisë nga një dorë në tjetrën. Edhe LSI kaloi brenda familjes, pas një shfaqje të ngadaltë politike me Vasilin.
Dëshira është një gjë, mundësia është një tjetër. Berisha mund të kishte vendosur që në fillim për njeriun e tij, por rruga i duhej e hapur.
I duhej dhënë një mësim të gjithë atyre që mund të rebeloheshin, që kishin dhënë shenja pro Olldashit, që mund të kishin synime më të larta se sa u ishte afruar, nga vetë ai, dhe që mund të krijonin grupime të fuqishme brenda partisë së tij.
Berisha përdori Bashën për pastrime radikale. Mësimi u është dhënë. Të larguarit e ndjejnë se fuqia e tyre ishte vetëm tek protesta, fjala në media, asgjë më shumë. Basha, duke ua mbyllur dyert, u tregoi se mund të rrinin përherë jashtë, dhe, ata e kishin të qartë, pas tij ishte Berisha.
Si duket, roli tranzitor i Bashës është drejt fundit. Misionin ai e ka kryer dhe, megjithëse nuk është menduar një fundosje kaq e madhe, përsëri kjo mund të jetë ogurmirë në planet e ardhshme të klanit Berisha. Sa më thellë ta ketë fundosur PD-në njeriu i vendosur prej tij, i njohur si “dhëndri i Dytë”, aq më i pranueshëm do të duket ai që mund të afrojë, i njohur si Dhëndri i Parë.
I heshtur deri tani në të gjithë këtë vorbull të lëvizjeve politike, pasi bëri fillimisht një gafë foshnjarake, e cila, me ndërhyrjen e familjes u ndreq shpejt, larg sherrnajave dhe grupimeve, ende i padukshëm si duhet, i veshur me mantelin e dhëndrit, nën të cilin fshihet petku i rremë i njeriut të urtë dhe bashkues, Berisha mund të afrojë shumë shpejt Atij një mundësi tjetër. Nëse nuk bën dot për bijën e tij, ai ka ende një as nën mëngë. Dhëndrin.
Tani është mundësia tjetër. Nëse jo Argita Berisha, dikush tjetër është po aq i afërt sa Luli, aq i lidhur me familjen dhe që ka kaluar përmes njohjes dhe afërsisë me Zonjën Malltezi. Dhëndri i parë, jo thjesht politik, Jamarbër Malltezi.
A do të kalojë përsëri PD-ja si një pronë familjare, nga dora e majtë, pra nga “Dhëndri i Dytë”, në dorën e djathtë, pra tek Dhëndri i Parë.
Në janarin e largët të vitit 1991, në një intervistë tek “Zëri i Amerikës”, Berisha do të shpallte kredon e tij se, në Partinë Demokratike nuk do të ketë kurrë Njësh, do të ketë rotacion të drejtimit të saj dhe të liderit“.
27 vite më vonë, partia që ai drejtoi me dorë të hekurt mund të ketë rishtas një pjesë të familjes, i cili, mund të jetë tepër i përkohshëm, për të lënë vazhdimin, po ashtu, brenda familjes, si një monark që nuk bën asgjë tjetër, veçse ndërron kukullat e tij, duke lëvizur fijet sipas dëshirës.
Të shohim.
Një gjë dihet..orët e Bashës po bien..a do të mund të bëjë ai lojën e tij. Vështirë.
Në katet e larta të një ndërtese, jo shumë larg zyrës së tij, si duket, vendimi është marrë.