Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore të Prishtinës ka dhënë urdhër për arrestimin e deputetëve të cilët janë të dyshuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Kjo është bërë e ditur për Telegrafin nga Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë së Kosovës. Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë dy herë seancën e Kuvendit në të cilën parashihej që të votohej marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi. Kjo ka ardhur pasi që deputetë të Vetëvendosjes kanë hedhur gaz lotsjellës.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që të përjashtojë nga vazhdimi i seancës për demarkacionin pesë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët hedhën gazin lotsjellës në dy rastet kur u tentua të votohet demarkacioni. Kadri Veseli ka njoftuar për përjashtimin e deputetëve në një konferencë për media në të cilën ka thënë se nuk do të lejohet që të ketë pengesa për të votuar demarkacionin.
“Sot do të përfundojë demarkacioni. Nuk do të lejohet që të ketë pengesa, nuk do të lejohet që të ketë bllokadë. Nuk do të lejojmë që askush të na bllokojë perspektiven euroatlantike të Kosovës. Nuk do të lejojmë ta bllokojmë liberalizimin e vizave”, ka thënë Veseli.
“Kemi vendimmarrje të kryesisë, e cila na është imponuar. Janë disa deputetë që janë në gjendje të rëndë shëndetësore nga këto sulme. Nuk do të lejojmë që të ketë përkeqësim të jetës së tyre. Pesë deputetë janë larguar nga pjesëmarrja në vazhdimin e seancës parlamentare”, ka thënë ai, derisa i ka quajtur manipulues dhe gënjeshtarë deputetët që po bllokojnë votimin e demarkacionit.
“Janë manipulues, janë gënjeshtarë, janë njerëz që tentojnë të dëmtojnë Kosovën”, ka thënë veç të tjerash Veseli.
ma.me