Nga Denis Dyrnjaja
Franca hetoi ish-Presidentin Jackues Chirac, po heton tani ish-Presidentin Nikolas Sarkozy. Ky vend evropian që ka bërë revolucione në emër të shtetit, ka derdhur edhe gjak në emër të zhvillimit dhe progresit, na tregon sesa larg shtetit ligjor jemi, sesa larg dimensionit se çka është e ligjshme është e ligjshme dhe çka është e paligjshme është e paligjshme, jemi.
Dhe duhet theksuar se Presidenti ose Kryeministri i Francës pavarësisht emrit, nivelit dhe postit, nuk ndan kurrsesi të njëjtën vlerë me një president, ish-president apo kryeministër e ish-kryeministër të Shqipërisë në kuptimin më të thellë e të plotë të fjalës dhe peshës reale.
Sot jemi në Vitin 2018 e Sarkozy po hetohet për financimet të paligjshme të Vitit 2007, kur u zgjodh President. A mund të mendosh në Shqipëri të hetosh, Fotos Nanon, Ilir Metën, Sali Berishën, Edi Ramën apo Lulzim Bashën e shumë zara të tjerë poshtë tyre për allishverishet e shumëllojshme të panumërta të tyre?!
Kjo është pyetja, pergjigjia e munguar e së cilës është përgjigjja e vetë faktit pse ne nuk jemi e nuk kemi një shtet serioz, ligjor, demokratik dhe të barabartë në vlera, sepse dikush është i privilegjuar ose (kopil ndaj ligjit) që i ikën atij, që i fshihet atij, që e përçmon dhe fyen atë. Sigurisht kjo mund të ndodhë vetëm në Shqipëri, në një vend ku Presidenti, Kryeministri etj ruhen ende me super-eskorta jo për rëndësinë e posteve të shtetit, por për t’i dhënë rëndësi vetes së tyre dhe pushtetit.
Për ta bllokohen rrugë e eksitohen turma, ndërsa ligji ndaj tyre është impotent! Bota e qytetëruar dhe demokratike i ka rrëzuar mitet. Për ta nuk ka të paprekshëm, i paprekshëm është atje është vetëm ligji. Në Shqipëri është e kundërta, i prekshëm, i cënueshëm, i përçueshëm dhe anashkalueshëm është ligji, por jo individi!